Kurti: S’ka kurrfarë mundësie për destabilizim

Kryeministri Albin Kurti tha se s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim me fillimin e reciprocitetit në çështjen e letërnjoftimeve me Serbinë. Ai në një konferencë për media tha se po punon që nesër gjithçka të shkojë qetë dhe siç duhet, raporton Gazeta Express.

Kurti tha se serbët që hyjnë në Kosovë, nga nesër thjesht “do ta kenë një dokument më shumë”.

“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.

Ai tha se beson se nesër gjithçka do të shkojë “qysh është më së miri”.