Kurti takohet me gjeneralin James Jones, ja për çfarë diskutojnë

Albin Kurti, ka pasur një takim të rëndësishëm.

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, me të cilët diskutuan për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.

Kurti e njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.

Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.

Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së. Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.