Kuvendi nuk e voton raportin vjetor të ZRRE-së për 2020

Lajçak dhe Kurti takohen në Vjenë, ja çfarë diskutan

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje nuk është votuar raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për 2020, ku në votim kanë marrë pjesë vetëm 56 deputetë.

Mos miratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar Komisioni për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, si dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Partitë opozitare kanë qenë kundër që ky raport të mos miratohet, madje e kanë quajtur si një arsye që pozita të shkarkojë Bordin e ZRRE-së.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Ferat Shala, tha se raporti i ZRRE-së duhet të miratohet pasi që i plotëson të gjitha kriteret ligjore.

“2020 ka qenë njëri ndër vitet më të suksesshme në pjesën legjislative dhe vendimmarrëse të Rregullatorit të Energjisë ku në këtë vit parimisht është bërë shkëputja dhe funksionalizimi i bllokut rregullues me Shqipërinë dhe sot vetëm ky fakt do të mjaftonte që ne të gjithë një zëri të ishim pro, sepse nuk është bërë pa punën dhe konsistencën profesionale të ekipeve të ZRRE-së do të duhej ky raport të miratohet… Mjafton të shihni pasqyrimin e të dhënave për humbjet në veri dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, mjafton të shihni analizën dhe përgjigjet nga 200 lëndë që iu kanë dhënë konsumatorëve privat, 77 për qind prej tyre janë në favor të biznesit privat, mjafton të shihni tabelat ku parimisht janë dhënë sinjale për stabilizimin strategjik të sektorit të energjisë dhe interkoneksionin me Shqipëri”, tha Shala.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se ky raport duhet të miratohet pasi që ka qenë përmbajtjesor dhe i detajuar.

“Mund të them që ka qenë mjaftë përmbajtjesor, i detajuar dhe pasqyrat financiare kanë qenë mjaftë transparente dhe mund të them që mund ta vlerësoj ndër raportet e mira të një institucioni të pavarur. Nuk e di pse rekomandimi është që të mos votohet ky raport. Ne e kuptojmë deri diku përcaktimin politik dhe vizionin e qeverisë, mirëpo kur është diçka e shkruar ashtu siç duhet e sidomos kur te këto agjencione të pavarura ne përpara na del politika e jo profesionalizmi, unë nuk di si ta quaj këtë. Prandaj, ne e përkrahim në plotëni”, tha Lekaj.

Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se është pasaktësi të thuhet se mos miratimi i raportit është për shkak se kërkojnë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

“Pasaktësi është të thuhet se kërkojmë që mos të miratohet raporti pasi që kërkojmë shkarkimin e bordit. Rikujtoj deputetët që mundohen të na tregojnë diçka të paqenë se Bordi i ZRRE-së është votuar në këtë Kuvend në vitin 2021, do të thotë Bordi është i kompletuar, ky Kuvend ka kompletuar Bordin dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj shkarkimi apo tendence. E dyta, arsyet dhe argumentet për mos miratim të raportit kanë të bëjnë me mos zbatim të metodologjisë në rekomandimin për tarifat, llogaritjen e gabuar të tarifave, janë çështje përmbajtjesore të cilat sjellin vendimin tonë për mos miratim të raportit për vitin 2020”, tha Kusari-Lila.

Ndaj deklarimeve të Kusari-Lila ka reaguar deputeti Ferat Shala, i cili tha se e vetmja mundësi që i hap rrugë shkarkimit të bordit është mos miratimi i raportit.

“E vetmja mundësi që hap hapësirë për shkarkimin e bordit është mos miratimi i raportit në mënyrë që është praktikë e njohur tashmë e këtyre kolegëve që po e praktikojnë. Ky është qëndrimi jonë”, tha Shala.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se presin të shohin se si do të veprojë ZRRE në lidhje me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë eklektike në veri.

“Njëri prej problemeve që presim me kuriozitet ta shohim se si do të veprojë ZRRE, pra dora e zgjatur e qeverisë në këtë rast lidhur me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike në komunat e veriut. Pra, ka disa tema shumë delikate, shumë të ndjeshme të cilat duhet t’i trajtojë ZRRE, të cilat ne po presim t’i shohim dhe t’i japim vlerësimet tona… Pra, këto tri tema unë pres me kuriozitet maksimal që t’i shoh, si do të reflektohet inflacioni në çmimin e energjisë elektrike, si do ta trajtojë mbikëqyrjen e KEDS-it nga ana e ZRRE-së dhe si do ta trajtojë problemin me operatorin, i cili është dashur të licencohet që sa kohë dhe Kosova vazhdon të paguajë dhjetëra milionë euro për komunat në veri, të cilat nuk paguajnë energji elektrike, sepse ZRRE deri tash nuk ka pasur Bord për ta licencuar operatorin në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel”, tha Gashi.

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje ka dështuar të votohet edhe raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2020, ku vetëm 50 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

Paraprakisht mos miratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar dy komisione parlamentare, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Lajme me shume...