Lamtumirë Kushtrimtari i pavdekshëm i Lirisë, Rafi Halili!

Nga Albin Kurti

Të dashur bashkëfamiliarë, shokë e miq, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës dhe bashkëluftëtarë, të atdhetarit të rrallë dhe Heroit të gjallë e të pavdekshëm, Rafi Halili,
Lajmi për ndarjen nga jeta e të birit, vëllaut, prindit, shokut të idealit, të vuajtjes dhe luftës çlirimtare, Rafi Halilit, ndonëse nuk ishte i papritshëm, na ka goditur thellë, siç i ka tronditur edhe të gjithë ata që e kanë njohur apo kanë lexuar e dëgjuar për veprën kolosale të tij, zor të krahasueshme atdhetare, çlirimtare, emancipuese e progresiste…

Rafi Halili, dhe plejada e tij e lavdishme, ishin sytha dhe filiza të brezit atdhetarë e prijtarë të Mehmet Gegë Murtezanit dhe veprimtarëve të shumtë, para dhe pas tij.

Të rebeluar dhe të arrestuar qysh si gjimnazist, Rafiu me shokë, shfaqen si lajmëtarë dhe prijetarë të gufimit të Nëntorit Pranveror ‘68, duke u shndërruar shumë shpejt në protagonistë të Lëvizjes që lëvizi historinë dhe, në këtë vazhdë, duke u kthyer në katalizator përbashkues të Brezave pararendës me brezin e ri pasues, Pranverës shqiptare ‘81 dhe vazhdimësinë e saj deri në luftën e ushtrive tona çlirimtare.
As tri burgjet e njëpasnjëshme, as mundimet dhe torturat mizore, as kërcënimet dhe shantazhet dheas joshjet dhe ofertat nuk e mposhten Rafiun. Përkundrazi, bashkë me Rexhep Malën e Isa Kastatin me shokë të tjerë, ata e kthyen edhe burgun në farkë atdhetarie, arenë përbashkimi, qëndresë lufte e veprimtarie atdhetare brenda dhe jashtë burgjeve…

Emri i organizatës se themeluar, me të dalë nga burgu i dytë, nga Rafiu me shokë, “Kushtrimi i Lirisë” shpërfaq më së miri vizionin dhe synimet e Rafiut dhe brezit të tij kryengritës.
Rafi Halili ishte kushtrimi i ardhmërisë atdhetare e çlirimtare, në Tetovë e rrethinë, në njërën nga viset më të shtypura e më të persekutuara të trojeve shqiptare…

Rafi Halili qëndroi kushtrim i përjetshëm lirie, i palodhshëm, i pandalshëm, i pamposhtshëm dhe i patëhuajsuar e i patjetërsueshëm…

Dhuna dhe terrori shovinist, gjatë viteve tetëdhjetë jo vetëm që nuk e ndali Rafiun me shokë, por e forcoi dhe e mobilizoi edhe më shumë. Burgjet, dhuna dhe terrori policor e ushtark mbi të dhe mbi familjen e tij të shumëvuajtur dhe, së fundi, as martirizimi i tij dhe i gjithë familjes së tij heroike, nuk e thyen shpirtin liberator dhe luftarak të Rafiut.
Qëndresa e Rafiut dhe familjes së tij është qëndresë dhe heroizëm i rrallëndodhshëm; një militant lirie dhe një familje e ngushtë me një revolver të vetëm, qëndrojnë ballë për ballë me një polici speciale, të armatosur deri në dhëmbë… Një qëndresë heroike, e tipit të qëndresës së Oso Kukës, Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Gafurr Lokut me familje, epopesë së Jasharajve të Prekazit, të Sllupçanit dhe sa e sa termopileve heroike anekënd hapësirës shqiptare, të frymëzuara edhe nga jehona e Kushtrimit të Lirisë të Rafi Halilit.

Edhe pas burgut të tretë, ndonëse i dërrmuar dhe me shëndet të rrënuar, shpirti, fryma dhe idealet e Rafiut ishin prore të pandryshueshme e të padiskutueshme: liria kombëtare, identiteti shqiptar, drejtësia shoqërore, substanca demografike dhe pastërtia morale qeverisëse dhe qytetare…

Si i tillë do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë heroi i gjallë, Rafi Halili…
Në themel të të arriturave të deritashme dhe në ato që do të vijnë në të ardhmen, rrezaton dhe do të inspirojë përjetë modeli i përkushtimit dhe vetëmohimit jetësor dhe të gjithanshëm i Rafi Halilit dhe korifejve si ai…
Brezat i kanë borxh të madh Rafiut dhe liberatorëve si ai.

E lajmë këtë borxh më së miri, duke jetësuar amanetet dhe idealet e tij e të brezit të tij. Lavdi e përjetshme Rafi Halilit, veprës dhe heroizmit të Tij!

*Fjalimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen komemorative për veprimtarin Rafi Halili