Marrëveshja në Bruksel, “Elektroseverit” i jepet licenca për furnizim të veriut me energji elektrike

Lëshohet sërish urdhërarrest për Dardan Molliqajn

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot ia ka dhënë lejen për operim në veri të vendit kompanisë “Drustvo Elektrosever”.

Në mbledhjen e bordit të ZRRE-së u tha se operimi i kësaj kompanie vlen për Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut për një periudhë pesëvjeçare.

Licencimi i “Elektroseverin”, u bë me pesë vota për dhe asnjë kundër.

Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje në sektorin e energjisë, apo më saktësisht një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë vitit 2013 dhe 2015 në këtë fushë, ku njëra nga pikat detyronte ZRRE-në që t’ia lëshojë licencën furnizimi Elektroseverit.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes detyron që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.

Për arritjen e marrëveshjes kishte shkruar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, të cilën e kishte cilësuar si fitore për palën kosovare.

“Më në fund kemi adoptuar implementimin për Marrëveshjen për Energjinë që buron nga 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat Veriore të Kosovës, nën ligjet e Kosovës dhe sistemin rregullator”, ka shkruar ai në Twitter.

Fitoren e kishte shpallur edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, i cili në këtë mes si të rëndësishme e kishte cilësuar faktin, se Elektrosever-it iu është dhënë mundësia që të ofrojë shërbime të distribucionit.