Memli Kransiqi: Qytetarët do ta marrin vesh pse Qeveria i detyroi të paguajnë më shtrenjtë rrymën

Kransiqi: Qytetarët do ta marrin vesh pse Qeveria i detyroi të paguajnë më shtrenjtë rrymën.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi u Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike.

Ai tha se sot në Kuvendin e Kosovës triumfoi demokracia, u ruajt kushtetutshmëria dhe e drejta themelore e opozitës për hetim parlamentar e mbikëqyrje të punës së Qeverisë.

“Përmes themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, të nisur nga Partia Demokratike e Kosovës e me mbështetje të deputetëve opozitarë, do të zbardhim secilin fakt, do t’i japim përgjigje secilës pyetje dhe do të kërkojmë sqarim për secilin vendim që Qeveria ka marrë muajt e fundit në menaxhimin e krizës energjetike në vend”.

Krasniqi tha se përmes këtij komisioni qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë se pse “Qeveria i detyroi të paguajnë 100 për qind” më shtrenjtë energjinë elektrike në emër të importit, kur Kosova, sipas tij, prodhoi mjaftueshëm energji.

“Po ashtu, do të mësojmë se ku shkuan dhe si u shpenzuan mbi 100 milionë euro të cilat u ndanë për të subvencionuar energjinë. Qytetarët kanë kërkuar llogaridhënie dhe transparencë – ne do të sigurohemi që ata t’i kenë të dyja”, ka shkruar Kransiqi.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar dy komisione hetimore në seancën e sotme, njëri u propozua nga opozita, tjetri nga pozita.