Meta në fund të mandatit, jep dekoratën e fundit si president i Shqipërisë

Ilir Meta, nuk do të jetë më në krye të vendit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili është në ditën e fundit të mandatit të tij se kryetar shteti, pasi nga dita e diel 24 korrik 2022, vendin e tij do ta zërë presidenti i ri, Bajram Begaj, ka ushtruar për herë të fundit detyrën e tij.

Presidenti Meta në më pak se 24 orë të mbetura nga detyra e tij si kryetar shteti, ka vlerësuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli.

Njoftimi i Presidencës:

MOTIVACIONI:

“Me vlerësimin më të lartë për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës si dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë.”

Ky është edhe aktiviteti i fundit zyrtar i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta.