Ministrja e Kosovës nga Prespa tregon se pse Kosova s’e përkrah “Ballkanin e Hapur”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog në Ohër të Maqedonisë së Veriut në cilësinë e folëses në sesionin me temë: “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Evropa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog në Ohër.

Gjatë fjalimit, Rizvanolli tha se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ajo tha se bashkëpunimi ndërtohet mbi principet themelore të trajtimit të barabartë mes partnerësh dhe kjo është arsyeja pse Kosova nuk e mbështet iniciativën e Ballkanit të Hapur.

“Realiteti i cili ka ndodhur në Kosovë para 23 vitesh, si dhe realiteti i cili është duke ndodhur tash në Ukrainë është i domosdoshëm për te besuar se rajoni do të jetë i unifikuar”.

“Kohët e vështira në të cilat po jetojmë, duke filluar me pandeminë e më pas me dështimet në zinxhirët e furnizimeve, inflacionin e krizën e energjisë të cilat janë përkeqësuar edhe më shumë nga lufta në Ukrainë, gjithashtu përfaqësojnë mundësi konkrete për të vlerësuar më mirë, dhe për të shpresuar e përshpejtuar bashkëpunimin rajonal”, është shprehur Rizvanolli.

Tutje, ajo tha se Kosova e sheh këtë dhe demokratizimin e rajonit si aspekte kyçe për të mundësuar integrimin që vendi e aspiron për në BE.