Ministrja Gërvalla shkon në darkën e nesërme në Bruksel

Bashkëshortja e zëvendësministrit Pupovci sulmohet fizikisht

Në mungesë të Kurtit dhe Osmanit, Gërvalla shkon në darkën e nesërme në Bruksel.

Kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla do të jetë e pranishme në darkën joformale që do ta shtrojë nesër shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell për liderët e Ballkanit Perëndimor. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Zyrtja e Lartë për komunikim në MPJ, Qëndresa Fazliu.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të jetë e pranishme në darkën joformale nesër në Bruksel”, tha Fazliu për Express të martën.

Pjesëmarrja në darkë zakonisht është në nivel të presidentëve apo kryeministrave por për shkak se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani ndodhen në SHBA, Kosovën do ta përfaqësojë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka konfirmuar për Gazetën Express se nesër shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell do të shtrojë një darkë joformale në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, vazhdon me traditën e ftuarjes së liderëve nga Ballkani Perëndimor për një darkë joformale dy herë në vit për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet. Kjo përfshin situatën në rajon dhe në marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësimin në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Zakonisht pjesëmarrja është në nivelin e liderëve (Presidentëve) ose Kryeministrave. Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj (2021). Darka tjetër joformale do të mbahet në Bruksel nesër, e mërkurë, në mbrëmje”, tha Stano në një përgjigje me shkrim për Express.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm nesër në Bruksel me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell.

Darka e fundit joformale e shtruar nga Borell ishte në shtator të vitit 2021 në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.