Në Veternik u dogjën 7-8 vetura, policia jep detajet e fundit

Policia e Kosovës ka dhënë informacionet e para për zjarrin e madh në parkingun e “Albi Mall”.

Sipas policisë janë djegur 7-8 vetura, teksa nuk raportohet për njerëz të lënduar.

Zjarri dyshohet se ka kapluar një veturë ku më pas janë djegur edhe veturat e tjera.

Lidhur me rastin policia thotë se po kryhen hetime intensive.

“Rreth orës 13:40 në Veternik të Prishtinës, në një parking veturash është raportuar për një rast zjarri. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se nga zjarri, i cili dyshohet se ka kapluar një veturë të parkuar, dyshohet se janë djegur/dëmtuar edhe disa të tjera të parkuara. Janë njoftuar me kohë njësitet e zjarrfikësve, të cilët lokalizuan zjarrin. Për momentin nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale në 7 apo 8 vetura. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, ka njoftuar policia.