Paralajmëron drejtori t AAK: Komunat po humbin miliona euro dhe rrezikojnë të mbyllen

Ish-deputeti Isufi i nënshtrohet një operimi kirurgjik

Komunat e Kosovës janë duke humbur milionat.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, lidhur me padinë që do ta dorëzojnë ndaj ministrisë së Arsimit dhe ministrisë së Shëndetësisë për kontratën kolektive, ka deklaruar se komunat po humbin miliona euro, xhirollogaritë e tyre janë bllokuar e madje disa nga to janë para falimentimit dhe rrezikojnë të mbyllen.

Kjo për shkak se siç thotë Ibrahimi, mësimdhënësit po kërkojnë pagesat që i takojnë me kontratë kolektive.

“Kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror, kurse barra financiare i bie komunave, dhe kjo është duke zgjatur, komunat janë dëmtuar nga buxhetet e veta komunale me miliona euro. Këto miliona, destinimi i tyre ka qenë për investime kapitale, për përmirësimin e jetës së qytetarit. Këto kontrata, komunave iu kushtojnë me miliona euro, ka raste kur xhirollogaria e një komune të madhe në Kosovë ka qenë e bllokuar shkaku i pamundësisë së zbatimit të dispozitave nga kontratat kolektive”.

Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi

“Ka raste kur komunat kanë qenë të ballafaquara para falimentimit, për shkak se mjetet financiare kanë qenë me qindra mijëra euro, të cilat menjëherë i kanë ardhur urdhrat për zbatim dhe ka komuna që nëse në një të ardhme të afërt do t’i merren mjetet financiare përnjëherë për të gjitha obligimet që dalin nga kontratat kolektive, atëherë mund të vihet deri të mbyllja e komunave, sepse nuk munden prej buxheteve vetanake, komunat e vogla dhe komunat e mesme t’i zbatojnë të gjitha obligimet financiare që dalin nga kontratat kolektive”, ka thënë ai për KP.

Ibrahimi ka potencuar se një nga problematikat më të mëdha është moskomunikimi i nivelit lokal me atë qendror.

“Edhe në takimin e fundit të komisionit të granteve, takim i cili është mbajtur para disa muajve, përfaqësuesi i AKK-së, Sokol Haliti, e ka ngritur këtë shqetësim, mirëpo kërkesa jonë ka hasur në vesh të shurdhër. Niveli qendror nuk po dëshiron t’i përkrahë komunat sa i përket zbatimit të këtyre kontratave kolektive, edhe pse janë nënshkrues të këtyre kontratave”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Ibrahimi ka kërkuar që barra financiare të merret nga ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë, ngase siç thekson ai, të dyja këto dikastere janë nënshkruese të këtyre kontratave.