Pas vendimit të mbrëmshëm, Kurti e ambasadori Hovenier shihen bashkë në një kafene në Prishtinë

Pas tensioneve të 31 korrikut, Qeveria e Kosovës vendosi t’i shtyjë vendimet për implementimin e reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi u mor pas takimit të krerëve shtetëror me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Një ditë pas, sot, kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij, është parë në një kafene në Prishtinë, bashkë me ambasdorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe gruan e tij.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas situatës tensionuese të së dielës, ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeminsitrin Kurti dhe presidentin serb,Vuçiq.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, derisa ka shtuar se BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”.

“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, ka thënë Stano.

Ndryshe, Republika e Kosovës jo rrallëherë ka aplikuar masa reciprociteti ndaj shtetit të Serbisë.

Vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe, janë në mesin e disa masave që ka aplikuar Kosova që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Masën e parë të reciprocitetit ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011.

Pesë vjet më pas, në muajin mars të vitit 2016, Kosova kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë në transportin e naftës dhe të gazit.

Po në vitin 2016 edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e udhëhequr nga Arsim Bajrami, pati vendosur masa të reciprocitetit ndaj Serbisë në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën serbe.

Katër vjet pas kësaj, në vitin 2020, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, kishte vendosur masa reciprociteti ndaj mallrave serbe.

Më 31 mars të këtij viti, kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, vendosi që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti vendosi masat e reciprocitetit për targat e Serbisë.