Presidenti i Malit të Zi në Kosovë për herë të parë, më 18 maj takon Osmanin, Kurtin e Konjufcën

Gjukanoviq në Kosovë për herë të parë, më 18 maj takon Osmanin, Kurtin e Konjufcën.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë zyrtare dy ditore më 18 dhe 19 maj, vizitë kjo e para e tij në Kosovë si president i Malit të Zi. Kështu kanë konfirmuar burime të Gazetës Express.

Gjukanoviq gjatë ditës së parë të vizitës në Kosovë, më 18 maj, do të takohet me të tre liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani, kreun e ekzekutivit Albin Kurtin dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Vetë Gjukanoviq kishte folur në muajin mars për vizitën që do ta realizonte në Kosovë.

“Unë deri më tani s’kam qenë për vizitë zyrtare në Kosovë. I gëzohem kësaj vizite. Dua që në këtë mënyrë të kontribuojmë në mirëkuptimin tonë ndërshtetëror”, kishte thënë Gjukanoviq në një intervistë në mars 2022 për KTV-në, raporton Express.

Ai kishte thënë se përmes rritjes së mirëkuptimit ndërshtetor do të rritet edhe cilësia e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit, gjë që do të ndikojë edhe në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit dhe stabilitetit të rajonit dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Kur ishte pyetur për raportet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, Gjukanoviq kishte thënë se ato janë jashtëzakonisht të mira.

“Marrëdhënia është e mirë, shumë e mirë. Kudo që jemi takuar, dhe kemi biseduar në shumë vende, do të thoja se kjo është një marrëdhenie shembullore”, kishte thënë Gjukanoviq.

Se do ta vizitojë Kosovën në të ardhmen ka deklaruar edhe kryeministri Dritan Abazoviq.

“Absolutisht jam i gatshëm dhe me kënaqësi të madhe. E shoh si mungesë dhe faji është te unë pasi kanë ekzistuar edhe thirrjet, por ashtu ka qenë dinamika e punës në qeverinë e kaluar që nuk është realizuar vizita ime zyrtare. Tash si kryeministër do të vij me kënaqësi të madhe”, ka deklarauar Abazoviq në Klan Kosova.