Shpenzimet për fëmijët shumë më të larta se shtesat e qeverisë


Shuma e ndarë prej 20 eurosh nga Qeveria e Kosovës, në emër të shtesave për fëmijë nga 0-24 muaj, do të mjaftonin vetëm për blerjen e pecetave për djalin njëvjeçar të Fatime Veselit nga Prishtina. Fatmija është nënë e katër fëmijëve, tre prej të cilëve janë nën moshën 16-vjeçare.

Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë shtesa për fëmijë. Sipas këtij vendimi, për fëmijët deri në dy vjeç, prindërit mund të marrin nga 20 euro në muaj. Për këtë kategori (fëmijët që kanë lindur në vitin 2020-2021) tashmë ka filluar aplikimi dhe sipas zyrtarëve qeveritarë, interesimi është i madh. Kurse, aplikimi për të përfituar shtesa prej 10 euro për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 2020 numri i lindjeve ka qenë rreth 22,000.

Me gjithë shumën e vogël, Fatmija thotë se veçse ka aplikuar për përfitimin e këtyre shtesave edhe pse tregon se shpenzimet për djalin e saj të vogël janë shumëfish më të larta. Sipas Fatimes, shpenzimet mujore për djalin e saj janë sa vlera vjetore e shtesave që po i ndan Qeveria e Kosovës.

“Për mua, deri më tani ka qenë më lehtë, pasi djalin e kam ushqyer me gji. Në muajin korrik, djali i mbushi një vit dhe janë rritur shpenzimet sepse ka filluar që të hajë edhe ushqime tjera. Nëse i llogaris vetëm shpenzimet për djalin e vogël, pelenat, ushqimi, shampot, pa llogaritur veshmbathjen dhe vizitat e nevojshme te mjeku, shuma mujore kalon mbi 100 euro. Por, nëse sëmuret, shpenzimet rriten. Para një jave ka qenë i sëmurë dhe e kam pasur për vizitë te pediatri dhe jam detyruar të blej ilaçe në vlerë prej 30 eurosh”, tregon ajo.

Përveç djalit njëvjeçar, Fatmija ka edhe dy vajza të moshës tetë dhe dhjetëvjeçare, kurse djali i madh është mbi 16 vjeç. Sipas saj, që të gjithë fëmijët e saj kanë kërkesa dhe dëshira të ndryshme, që bëjnë që shpenzimet të jenë të larta. Në familjen e Fatimes punon vetëm bashkëshorti i saj dhe ai ka një pagë mujore rreth 500 euro. Deri në rritjen e fëmijëve, ajo shprehet se ka pezulluar investimet kapitale në shtëpinë e saj.

IZHPS: Shuma e pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave të fëmijëve

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS) konsideron se vendimi për shtesat prej 20, respektivisht 10 euro, është ndihmë relativisht e vogël, por bën që familjet ta ndiejnë sadopak dorën e shtetit.

Edhe Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) potencon që shuma aktuale e shtesave për fëmijë është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e tyre dhe rekomandon që në kuadër të planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm, shtesat për fëmijë të jenë prioritet për rritjen e shumave mujore, për të mbështetur nevojat e fëmijëve.

Fatime Veseli mendon se vlera e shtesave duhet të pesëfishohet, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet e fëmijëve.

“Kjo vlerë duhet të ishte deri në 50 euro edhe pse është pak për fëmijë, por ndoshta do të mjaftonte”, shprehet ajo.

KOMF: Në skemë duhet të përfshihen edhe fëmijët nga 16 deri 18 vjeç
Me gjithë vlerën e vogël, shqetësim tjetër për organizatat joqeveritare, mbetet mospërfshirja e fëmijëve nga mosha 16 deri në 18 vjeç, pasi legjislacioni në Kosovë, por edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës përcakton moshën e fëmijës deri në moshën 18-vjeçare.

KOMF-i përmes një komunikate për media, të martën më 14 shtator, ka propozuar që të rishikohet skema për shtesat e fëmijëve, pasi përfshirja e kësaj kategorie është e nevojshme, meqenëse, sipas kësaj organizate, në Kosovë nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 deri 18 vjeç apo fuqizimin e të rinjve.

MF: Shtesat do të vazhdojnë
Ndërkaq, Shukrije Rama, drejtoreshë ekzekutive në Institutin për Zhvillimin e Politikave Sociale, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të sqarojnë nëse mjetet e ndara do të jenë të qëndrueshme.

“Sipas deklarimeve të qeverisë, këto mjete ndahen nga Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike dhe jo nga një vijë buxhetore e caktuar për vitet tjera. Mbetet të shihet se çka do të ndodhë me shtesat për fëmijët pas përfundimit të pakos ekonomike dhe kujt do t’i mbetet përgjegjësi në të ardhmen menaxhimi i shtesave për fëmijët”, thotë Rama për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët të Ministrisë së Financave (MF) kanë thënë se shtesat e fëmijëve nuk janë të kufizuara në kohë dhe ato do të shpërndahen vazhdimisht dhe janë në linjë me programin qeverisës. Për këtë çështje, sipas përgjigjes dërguar Radios Evropa e Lirë nga kjo ministri, thuhet se janë ndarë 3.3 milionë euro.

Në programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025 thuhet se “fëmijët nën moshën dyvjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 euro, kurse fëmijët nën moshën 16-vjeçare, do të përfitojnë 10 euro në muaj”.

Premtimet për shtesat

Përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila aktualisht udhëheq Qeverinë e Kosovës, shtesat për fëmijët kanë qenë premtim i vazhdueshëm i partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në vitin 2015, pati premtuar 300 euro për çdo fëmijë të sapolindur, premtim ky që nuk u realizua.

Ndërkohë, nismën për shtesat e fëmijëve në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018 e pati iniciuar ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Ajo në atë kohë pati deklaruar se ishte llogaritur se do të përfitonin rreth 500,000 fëmijë nga mosha 0 deri në 16 vjeç, me nga 10 deri në 40 euro në muaj, varësisht nga numri i fëmijëve.

Edhe qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministëri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në programin qeverisës në pikën e 13, ku flitej për mbrojtjen sociale, kishte paraparë edhe shtesat për fëmijë.

Derisa në Kosovë tashmë ka filluar aplikimin për shtesat e fëmijëve, disa nga vendet e rajonit veçse e kanë të rregulluar këtë çështje.

Mali i Zi aplikon shtesa për fëmijët në vlerë prej 23 euro deri në 40 euro, Serbia nga 25 deri në 46 euro, Bosnje e Hercegovina prej rreth 17 euro deri në 40 euro, varësisht nga vendi ku jetojnë. Po ashtu, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë shtesa të ndryshme për fëmijë. /REL


Mundesia me shume...
Pamje me shume...