Tërmeti i fuqishëm godet Afganistanin, shkon në 280 numri i të vdekurve, 600 të plagosur (VIDEO)

Një tërmet i fuqishëm ka vrarë të paktën 280 njerëz dhe ka lënë dhjetëra të plagosur në Afganistan, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit.

Fotot tregojnë rrëshqitjet e dheut dhe shtëpitë e rrënuara në provincën lindore të Paktikas, ku ekipet e shpëtimit po përpiqen të trajtojnë të plagosurit.

Në zonat e largëta, helikopterët kanë transportuar viktimat në spitale.

Agjencia lokale e lajmeve Bakhtar tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, duke shtuar se më shumë se 600 njerëz u plagosën.

Tërmeti me epiqender rreth 44 km nga qyteti juglindor i Khost, ra pak pas orës 01:30 me kohën lokale.

“Fatkeqësisht, mbrëmë pati një tërmet të fortë në katër rrethe të provincës Paktika, i cili vrau dhe plagosi qindra bashkatdhetarë tanë dhe shkatërroi dhjetëra shtëpi. Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme”, shkroi në Twitter zëdhënësi i qeverisë, Bilal Karimi.

Zyrtarët talebanë kanë kërkuar që agjencitë e ndihmës të nxitojnë në zonat e prekura në lindje të vendit.

Lëkundjet u ndjenë në më shumë se 500 km në Afganistan, Pakistan dhe Indi, sipas Qendrës Sizmologjike Mesdhetare Evropiane.