Ulqini premton çmime të lira për pushuesit kosovarë

Mali i Zi premton çmime të lira për pushuesit kosovarë.

Mali i Zi ka premtuar çmime të lira për pushuesit kosovarë në prag të hapjes së sezonit turistik.

Gjatë ditës së djeshme, Ljiljana Çukiq nga Organizata Nacionale e Turizmit premtoi çmime të lira për pushuesit kosovarë që zgjedhin Malin e Zi për t’i kaluar pushimet verore.

Çukiq ka thënë se do të bëjnë përpjekje që çmimet të mbesin sikurse në vitin e kaluar.

“Tregu i Kosovës është shumë i rëndësishme dhe mysafirët e Kosovës i shohim shumë të rëndësishëm. Viteve të fundit është rritur numri i vizitorëve. Mali i Zi e ka finalizuar ofertën për këtë vit dhe është munduar t’i mbajë çmimet sikur vitin e kaluar, pavarësisht se në këtë kohë çdo gjë po shtrenjtohet. Mali i Zi është i vogël, por është i pasur me oferta të llojllojshme. Ne iu mirëpresim me kënaqësi”, ka thënë Çukiq të premten gjatë prezantimit të ofertës turistike verore 2022 në Prishtinë.

Ndërsa, drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, theksoi se si Ulqini theu rekordin e vizitave vitin e kaluar, duke potencuar faktin se qyteti shqiptar është edhe më i lirë se Prishtina.

“Vitin e kaluar mediat e Kosovës e kanë bërë të mundur që Ulqini të thyejë rekord me vizitorët. Do të bëjmë përpjekje që në Ulqin çmimet të mos të rriten në limite të pakapshme. Ulqini është më i lirë se Prishtina. Çmimet janë më të lira se në disa restorante në Prishtinë”, ka thënë Hajdinaga.