Vizat për Kosovën, Austria u drejtohet vendeve anëtare të BE-së

Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar për COVID-19 protestojnë të hënën

Ditët kritike për vizat, Austria u drejtohet vendeve anëtare të BE-së.

Ministrja austriake për Europën, Karoline Edtstadler, ka thënë se pas dhënies së mendimit nga Komisioni Europian për statusin e vendit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, Bashkimi Europian s’duhet të përdorë standarde të dyfishta karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, ajo thotë se kjo kërkon që t’i liberalizohen vizat Kosovës, t’i jepet statusi i vendit kandidat Bosnje e Hercegovinës dhe të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sot Komisioni Europian prezantoi opinionin e tij për aplikimin për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Këto tani do të duhet të analizohen në detaje gjatë ditëve në vijim. Është e qartë se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta apo edhe kandidatë të klasit të parë dhe të dytë në procesin e anëtarësimit. Për sa i përket Ballkanit Perëndimor në veçanti, mbajtja e premtimeve tona është çështje sigurie për Europën dhe një çështje e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Kjo kërkon që të jepet statusi i kandidatit për Bosnje-Hercegovinën, fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është kthyer sërish në vëmendje te zyrtarët europianë. Në vizitën e tij historike në Kosovë, kancelari gjerman Scholz tha se e mbështet heqjen e vizave ndaj kosovarëve. Ndërkaq, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Euroneës së fundi tregoi se kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme europiane dhe tregoi se ky proces është shumë afër, megjithëse nuk dha ndonjë datë të caktuar.