Von Cramon: E këshilluam Kosovën që të mos aplikojë në KiE pa i siguruar votat

Kusari-Lila: Trusti nuk kalon

Kosova po synon të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Raportuesja për Kosovën dhe deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon ka thënë se Qeveria e Kosovës ishte këshilluar nga partnerët evropianë që të mos dorëzonte aplikacionin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës pa siguruar shumicën e votave, duke lënë të kuptohet këto këshilla janë shpërfillur.

“Ndonëse shumë njerëz mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të gjithë ata këshilluan Qeverinë që të pres për ta dorëzuar aplikacionin për t’u siguruar se ekziston shumica (e votave) në Këshill përpara aplikimit. Pak-a-shumë këtë thanë të gjithë partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Vetëm tetë ditë pas, më 20 maj, u mbajt seanca e Komitetit të Ministrave në Torino të Italisë, ku nuk u shqyrtua aplikimi i Kosovës për anëtarësim. Tani, Kosova duhet të presë që aplikacioni për anëtarësim në Këshillin e Evropës të shqyrtohet tek në majin e vitit të ardhshëm. Seanca e 133 e Komitetit të Ministrave do të mbahet në kryeqytetin e Islandës, Rejkjavik në maj të vitit 2023, raporton Gazeta Express.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Von Cramon, ka shkruar sot në Twitter lidhur me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë për edicionin e sivjetmë, duke kritikuar Qeverinë e Kosovës që sipas saj, është dashur të bëjë përpjekje më të mëdha për ta mbajtur brenda vendit.

Për këtë reagim, ajo ka marrë kritika dhe lëvdata nga disa komentues. Njëri prej tyre pyet eurodeputeten nëse po merr anë kundër Qeverisë krah një kompanie biznesi dhe nëse e konsideron Kosovën si vend sovran. Ndërsa komentues të tjerë çmojnë rolin e saj në raport me Kosovën, duke e vlerësuar kontributin e saj në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Duke iu përgjigjur komenteve në këtë reagim, ajo mes argumentimit gjatë debatit, ka përmendur edhe këshillat që partnerët evropianë i dhanë Kosovës për synimin e saj që të bëhet pjesë e organizatës Këshilli i Evropës.