Vuçiq me akuza të pabaza se Kosova e shkeli atë

Moratoriumi i Washingtonit ka pasur afat 1 vit, Vuçiq me akuza të pabaza se Kosova e shkeli atë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka reaguar pasi Kosova edhe zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kreu i shtetit serb po thotë se Kosova ka shkelur marrëveshjen e Washingtonit kur ka vendosur të aplikojë për anëtarësim, meqë një nga pikat e marrëveshjes ka qenë Moratoriumi një vjeçar për mos-aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare apo për të mos lobuar për njohje të reja, derisa në anën tjetër Serbia do të ndalte fushatën kundër Kosovës.

Megjithatë, Marrëveshja e Washingtonit është nënshkruar në shtatorin e vitit 2020, dhe pika për moratoriumin ka pasur afatin kohor një vjet. Pavarësisht kësaj, Vuçiq po e përdor këtë si argument në kundërpërgjigjen e tij për vendimin e Kosovës për anëtarësim në KE.

“Dua t’iu informoj se para pesë minutave Gërvalla ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kështu Prishtina tregoi se ka shkelur brutalisht marrëveshjen e Washingtonit, pasi ka shkelur për dhjetë vjet marrëveshjen e Brukselit si dhe Rezolutën 1244”, ka thënë Vuçiq.

Shefi i shtetit serb thotë se do të bëjnë gjithçka për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të Kosovës, megjithatë thekson se pas këtyre veprimeve qëndrojnë shtetet kryesore të Perëndimit.

“Ne do të bëjmë çmos që të tregojmë se mund të luftojmë, ta mbrojmë vendin tonë. Mentorët e Prishtinës janë shumë më të fortë, kjo lojë udhëhiqet nga vendet kryesore perëndimore, dhe ne jemi një vend i vogël që ruan sovranitetin e tij dhe të drejtën për të vendosur”, ka thënë Vucic.

Presidenti serb ka thënë se “s’ka tërheqje as dorëzim para shantazhit sepse pala e kundërt do të bëjë gjithçka që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Vuçiq si kundër reagim ka thënë se Serbia do ta vazhdojë fushatën që të bindë shtetet për të anuluar vendimin për njohjen e Kosovës.

Derisa ka folur edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-së duke thënë se Kosova ka marrë përkrahjen e fortë të SHBA-së.

Në fund Vuçiq ka pyetur se pse SHBA-të e kanë ftuar Serbinë në Washington meqë sipas tij në rastin e parë e shkelën Marrëveshjen e Washingtonit dhe se është e qartë që duan që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.