Home / LAJME / Ku është “zhdukur” Lulzim Basha? Përgjigjen e jep rivali i tij Astrit Patozi

Ku është “zhdukur” Lulzim Basha? Përgjigjen e jep rivali i tij Astrit Patozi

Lulzim Basha nuk flet prej javësh pasi nuk ka nevojë të flasë, ai ka arritur qëllimin e tij, ka marrë sërish “timonin” e Partisë Demokratike… edhe pse gjysma e pasagjerëve të autobusit blu nuk janë më.

Ky është përfundimi në të cilin del rivali i Lulzim Bashës Astrit Patozi, I cili përmes një statusi të gjatë në profiling e tij në rrjetin social analizon “zhdukjen” e kreut të PD-së dhe pushimet “moskokëçarëse” të kryeministrit.

Për Ramën Astrit Patozi shprehet se ai tashmë po pushon i pashqetësuar, edhe pse zjarret po përpijnë Shqipërinë. Sipas ish deputetit, kryeministri nuk k apse të shqetësohet për to, në kushtet kur ka duart në “timonin” e ëndërruar prej tij, dhe në faktin se ia ka futur këmbët në një këpucë Lulzim Bashës.

Ja analiza e Astrit Patozit, i cili i këshillon gazetarët që të mos kërkojnë Bashën, pasi ai është jashtë shtetit me pushime

ANALIZA:

NUK ËSHTË ME TË THËNË, ËSHTË ME TË DHËNË…

Jo thjesht meqë është verë, por edhe ngaqë është verë, ka nisur një debat i ndezur për mungesën e gjatë të kryetarit të shkrirë të Partisë Demokratike në qëndrime publike kundër qeverisë.

Në fakt, daljet e Lulzim Bashës kanë qenë gati ekzotike, që pas pllakosjes së humbjes së 25 qershorit e deri më sot që po flasim. Por deri më 22 korrik avokatët e tij ishin të justifikuar me “vetëngrirjen”, një mekanizëm hileqar, që u përdor nga përgjegjësi kryesor për humbjen e Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen.

Por pas fitores së tij “plebishitare” ndaj Eduard Selamit kanë rënë të gjitha argumentet që Lulzim Basha fliste edhe me heshtjen e tij.

Disa analistë të shtypit u përfshinë dje në një polemikë të gjatë, e cila me shumë gjasë do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Në të nuk munguan edhe mbështetës apo vartës të Lulzim Bashës, të cilët, sipas meje, janë në të drejtën e vet të shprehen.

Replikat e tyre, pavarësisht ndonjë teprimi, i shoh si një nevojë të shoqërisë për të pasur një opozitë serioze dhe aktive, sidomos në rrethanat e një ekstrashumice si ajo, që ka dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. E cila e ka brenda kërcënimin për t’u shndërruar në një pushtet arbitrar dhe arrogant, aq më tepër kur në krye të saj qëndron një personazh eksentrik dhe i paparashikueshëm si Edi Rama.

Por nga ana tjetër, nuk mund të mos e them se ka një kontrast të thellë mes shqetësimit natyral të shtypit dhe qetësisë, me të cilën po i shtyn këto ditë të nxehta gushti Lulzim Basha.

Gazetarët dhe analistët, që po e kërkojnë prej kohësh, nuk kanë pse presin kaq shumë prej tij. Sepse Lulzim Basha ka pasur raste që ishte i paqenë edhe kur ndodhej pa ndërprerje dhe për ditë të tëra në Shqipëri. Ndaj është e padrejtë t’i kërkosh atij që të jetë më aktiv, në kushtet kur edhe fizikisht nuk gjendet në atdhe, por ndodhet jashtë shtetit.

Unë e kuptoj se gazetarët kjo mungesa fizike në Shqipëri nuk i bind fare, pasi teknologjia ka avancuar aq shumë, sa e gjithë bota, është shndërruar realisht në një fshat të fogël. Por kjo çështja e reagimit të shpejtë dhe të vendosur në politikë, nuk është me të thënë, por është me të dhënë. Ndaj do t’i ftoja shume miqesisht ata, që të mos e kërkonin asnjëherë Lulzimin aty ku ai nuk është.

Nëse do te duhet patjetër një shpjegim për këtë, kushdo e ka përpara syve. Mjafton të behet një analizë e ftohtë per zhvillimet e fundit politike, që kanë ndodhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Edi Rama po shfaqet i relaksuar dhe i pashqetësuar, madje edhe nga zjarret, që po djegin gjysmën e pyjeve të vendit, sepse ka arritur objektivin e vet të dyfishtë, edhe me ndihmën e bashkënënshkruesit të marrëveshjes së 18 majit; të fitojë zgjedhjet dhe të mbajë i vetëm timonin.

Lulzim Bashës i janë mbaruar fjalët dhe po shijon i qetë pushimet e këtij gushti përvëlues, sepse ka arritur të vetmin objektiv, që i kishte vendosur vetes, të rimerrte edhe një herë timonin e Partisë Demokratike, edhe pse prej autobuzit të saj kishte zbritur gjysma e pasagjerëve.

I pari e kishte betejën më 25 qershor, ndërsa i dyti më 22 korrik. Të dy kanë fituar në mënyrën e tyre, ndaj duhet pritur shtatori, se mbase shirat sjellin me vete jo vetëm fundin e vapës dhe shuarjen e zjarreve, por mbase edhe ndezjen e opozitës së Lulzim Bashës.

Read Offline:
Shperndaje nese ke nje mik te mire...
Kosova Today News Reviewed by Shqipe Krasniqi on . Ku është “zhdukur” Lulzim Basha? Përgjigjen e jep rivali i tij Astrit Patozi Ku është “zhdukur” Lulzim Basha? Përgjigjen e jep rivali i tij Astrit PatoziRating: 4.8