Home / LAJME / Sherri LSI- PS për zgjedhjen e Avokates së Popullit, zbardhet debati me dyer të mbyllura

Sherri LSI- PS për zgjedhjen e Avokates së Popullit, zbardhet debati me dyer të mbyllura

Sherri LSI- PS për zgjedhjen e Avokates së Popullit, zbardhet debati me dyer të mbylluraVotimi në Parlament e Avokates së re të Popullit, Erinda Balanca, pas marrëveshjes politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, nuk ka kaluar pa debate mes palëve për shkeljen e procedurave ligjore.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve të 22 majit, krerët e grupeve të LSI-së dhe PDIU-së kanë ngritur si shqetësim faktin se kandidatura e propozuar nga PD-ja nuk kishte kaluar në seancë dëgjimore siç parashikonte ligji. Për shpalljen vakante të postit të Avokatit të Popullit është lënë një orë afat, ku është paraqitur vetëm një kandidate.

Por, Luan Rama e ka quajtur si fyerje të Kuvendit, për faktin se kandidatja kishte dorëzuar dokumentet për kandidim në Kuvend, por në të njëjtën kohë kishte deklaruar se nuk ishte në Shqipëri për t’iu nënshtruar seancës dëgjimore.

“Tani ne po bëjmë një parodi në fakt. Një parodi që filloi në orën 13:00 me komisionin dhe në orën 14:00 u mbyllën formalitetet. Kjo zonja nuk është në Shqipëri, por nga ora 13:00 – 16:00 ishte për t’i sjellë dokumentet”, ka thënë Luan Rama, i cili më tej ka thënë se:

“Nuk kemi pse të fyejmë Kuvendin, edhe një herë e them se kjo është fyerje për Kuvendin, fyerje edhe për atë zonjën që nuk respekton një procedurë qoftë dhe formale ligjore, çështje dinjiteti dhe integriteti në zbatim të ligjit”.

Gramoz Ruçi ka theksuar se duhet të zbatohet marrëveshja politike me opozitë, dhe ka bërë të qartë se situata po zhvillohet në kushtet e urgjencës. Sipas Ruçit të gjitha ligjet e miratuar në Kuvend kanë pasur probleme me procedurat, ndaj u ka kërkuar kolegëve të vijojnë me procesin.

DEBATET ME DYER TË MBYLLURA

Ilir Meta: Lidhur me kërkesën e sotme të Kryeministrit për një shtesë në rendin e ditës, ju informoj që kam nxjerrë urdhër të veçantë për të shtuar në rendin e ditës zhvillimin e procedurave për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Komisioni i Ligjeve, që është mbledhur sot, të na informojë për procedurat që ka kryer sipas ligjit organik të Avokatit të Popullit. Si mendoni, në cilën pikë të rendit të ditës e përfshijmë këtë kërkesë? Po zonja Hysi

Vasilika Hysi: Për gati tre-katër muaj asnjë nga kandidatët nuk ka marrë mbështetjen e 28 deputetëve dhe në këtë kuadër shërbimet e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura raportuan në Komisionin e Ligjeve që asnjë nga kandidaturat nuk ka marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve. Ndodhur në këto kushte, ne kërkuam rishpalljen e vendit vakant. Shërbimet e Kuvendit e bënë një gjë të tillë. Ne lamë afatin deri në orën 16:00 dhe në orën 17:00 u depozitua kandidatura që ishte dhe në kuadër të marrëveshjes politike, e zonjës Erinda Ballanca. Zonja Erinda Ballanca i plotësonte kriteret.

Luan Rama: Zoti Kryetar, meqenëse unë kam qenë në komision dhe këtë çështje e kam ngritur unë atje, neni 9 i ligjit për Avokatin e Popullit e ka taksative kërkesën që kandidatët duhet të organizojnë, pra, Komisioni për Çështjet Ligjore organizon seancë dëgjimore publike me secilin kandidat. Nuk e përjashton faktin që, kur është një kandidat nuk ka seancë dëgjimore. Unë kam insistuar në komision që komisioni nuk mundet të shkelë ligjin për hir të respektimit të marrëveshjes. Marrëveshja politike është dhe ne kemi mbledhur Kuvendin që marrëveshja të legjitimohet dhe akti politik të shoqërohet me zbatimin korrekt të ligjit. Unë e theksoj edhe këtu që ky është një veprim haptazi në kundërshtim me ligjin, është mungesë respekti ndaj komisionit dhe ndaj Kuvendit që zonja nuk vjen në seancë dëgjimore.

Ilir Meta: Ndoshta nuk është e mundur që të vijë? Luan Rama: Le të vijë kur të vijë, ta shtyjmë seancën dhe të mblidhemi kur të vijë zonja, meqë duhet të jemi në funksion të zonjës. Por unë insistoj në Konferencë të Kryetarëve që kjo është shkelje e ligjit. Ligji e ka taksative kërkesën dhe nuk përjashton nga seanca dëgjimore asnjë emër. Po të lexojmë pastaj, siç e lexojnë juristët e ish-opozitës ligjin, thotë se Komisioni për Çështjet Ligjore organizon seancë dëgjimore publike me secilin kandidat. Pra, fryma e ligjit nënkupton edhe kandidaturë alternative, por nuk po shkojmë deri te kandidatura alternative sepse do të respektojmë marrëveshjen politike, po marrëveshja politike nuk mund të na detyrojë ne të mos zbatojmë ligjin.

Valentina Leskaj: Meqenëse thatë se keni shpallur vakancën, kur është shpallur vakanca dhe sa afat ka pasur?

Luan Rama: Në orën 14:00 u shpall vakanca dhe në 16:00 u mbyll vakanca.

Vasilika Hysi: Ligji kërkon që nga momenti i krijimit të vakancës brenda 10 ditëve Kuvendi duhet të zgjidhte anëtarët.

Valentina Leskaj: Pyetja ishte fare e thjeshtë. Kur u shpall vakanca?

Vasilika Hysi: Brenda ditës së sotme, në drekë.

Mesila Doda: Të mos bëhemi qesharakë dhe të kemi mundësi që ta respektojmë nga ana formale, pasi të gjithë këtu u bëmë një jetë në këtë zanat. Të paktën nga ana formale ta respektojmë. Nuk është thënë asgjë që t’i themi asaj zonjës që të vijë. Është zonjë e nderuar dhe është mikja jonë, por duhet të vijë. Ju nuk keni asnjë arsye të mos e respektoni ligjin.

Vasilika Hysi: Vakanca është e shpallur prej kohësh, pasi ka mbaruar mandati i z. Totozani.

Ilir Meta: Të më falni, por kam një pyetje. Zonja nuk ka qenë e mundur që të vinte?

Luan Rama: Nuk është në Shqipëri.

Ilir Meta: Po nëse nuk është, ç’do bëjmë?

Luan Rama: Po ta presim, por kështu shkelim ligjin.

Ilir Meta: Ne këtë pozicion kushtetues ia kemi lënë opozitës dhe përderisa ata këtë alternativë kanë dhe ajo i plotëson kriteret… Problemi që thoni ju qëndron, por…

Vasilika Hysi: Kryetar, Kuvendi duhet ta kishte zgjedhur brenda 30 ditëve Avokatin e Popullit nga mbarimi i mandatit. Ne jemi në shkelje të ligjit për Avokatin e Popullit prej kohësh, pasi duhej brenda 30 ditëve. Ky ligj kalon me 84 vota.

Luan Rama: Tani ne po bëjmë një parodi në fakt. Një parodi që filloi në orën 13:00 me komisionin dhe në orën 14:00 u mbyllën formalitetet. Kjo zonja nuk është në Shqipëri, por nga ora 13:00-16:00 ishte për t’i sjellë dokumentet. Unë e kuptoj edhe formalitetin e kësaj gjëje, por jo deri këtu, sa ne me vetëdije të pranojmë të fyejmë Kuvendin që kjo zonja të mos vijë në seancën dëgjimore, që është kërkesë ligjore. Kjo gjë nuk ia heq të drejtën opozitës, ne do ta votojmë atë zonjën, pasi është zgjedhje e opozitës dhe do respektojmë pjesën e marrëveshjes, por ose duhet t’i themi me relacion Kuvendit që në këtë pikë ne nuk e zbatojmë dot ligjin, pasi ajo zonja nuk është këtu dhe le ta votojmë në shkelje të ligjit.

Gramoz Ruçi: Unë e mirëkuptoj kolegun Rama, mirëkuptoj edhe juristët, veçanërisht juristët. Po t’i shikosh me procedura dhe unë kam qenë ai që i mbroj procedurat, por të gjitha kanë probleme pa përjashtim, përjashto dekretet e Presidentit, të gjitha të tjerat kanë probleme. Këtu kemi të bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme, që të gjithë kemi shkuar në një vullnet politik dhe kemi rrahur 3 muaj rresht vullneti, vullneti, vullneti dhe kemi deklaruar se mund të shkelet dhe Kushtetuta me vullnet politik, deri këtu kemi shkuar. Por këtu kemi të bëjmë me disa procedura dhe është normale për të gjitha. Tani në këtë situatë emergjence dhe të jashtëzakonshme unë do të isha për të vijuar sipas marrëveshjes…

Spartak Braho: Përse është e jashtëzakonshme dhe emergjente?

Gramoz Ruçi: Atëherë që nga kërkesa për shtyrjen e afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore nuk është në rregull. Doni të jeni në rregull me procedurat dhe Parlamentin? Duhet të depozitohen 48 orë përpara. Tani, ne kemi qenë që kemi bërë ligj për dekriminalizimin në këtë Parlament apo jo?

Luan Rama: Por formalisht i kemi bërë korrekt.

Gramoz Ruçi: Jo, i kemi jashtë procedurave. Në rastin konkret, zonja i plotëson kriteret, por nuk është në Shqipëri.

Luan Rama: Jo, jo, jam dakord, por po të ishte që ka emergjencë, që duhej zgjidhur dhe meqë jemi në këtë frymën e pajtimit të madh, ne duhet të fusnim në procedurë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që janë në tejkalim të afateve ligjore realisht. Kjo është emergjente dhe lidhet me Reformën në Drejtësi. Nëse ka një urgjencë është ajo, nuk është urgjencë Avokati i Popullit, sepse edhe ligji për Avokatin e Popullit thotë të rrijë në detyrë derisa vjen i riu. Nuk kemi pse të fyejmë Kuvendin, edhe një herë e them se kjo është fyerje për Kuvendin, fyerje edhe për atë zonjën që nuk respekton një procedurë qoftë dhe formale ligjore, çështje dinjiteti dhe integriteti në zbatim të ligjit.

Ilir Meta: Në mendimin tim dhe në situatën që jemi, që edhe Kuvendi nuk ka mundësi të mblidhet herë pas here, pasi jemi në fushatë dhe situatë jo të zakonshme, vërejtja qëndron nga ana formale dhe ligjore, por nga ana përmbajtësore kandidatja i plotëson kushtet. Kjo i është lënë opozitës, opozita këtë ka propozuar, nuk është se ka propozuar dy dhe duhet t’i dëgjojmë të dy. Ajo nuk është këtu, nuk është se është këtu dhe nuk po vjen dhe nuk po respekton Kuvendin, prandaj mendoj që Kuvendi të shprehet me votë për këtë çështje./Panorama

Read Offline:
Shperndaje nese ke nje mik te mire...
Kosova Today News Reviewed by Shqipe Krasniqi on . Sherri LSI- PS për zgjedhjen e Avokates së Popullit, zbardhet debati me dyer të mbyllura Sherri LSI- PS për zgjedhjen e Avokates së Popullit, zbardhet debati me dyer të mbylluraRating: 4.8