Zgjedhjet në SHBA, Presidenti Biden përballë ‘izolimit’ fizik dhe politik

I infektuar me COVID-19, Presidenti Joe Biden po përballet me izolim fizik dhe politik në një moment kritik të fushatës së tij për një mandat të dytë presidencial. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, më shumë demokratë po i kërkojnë që të tërhiqet nga gara. Republikanët u zotuan për unitet dhe mbështetje [...]Read More...

Zgjedhjet në SHBA, Presidenti Biden përballë ‘izolimit’ fizik dhe politik

I infektuar me COVID-19, Presidenti Joe Biden po përballet me izolim fizik dhe politik në një moment kritik të fushatës së tij për një mandat të dytë presidencial. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, më shumë demokratë po i kërkojnë që të tërhiqet nga gara.

Republikanët u zotuan për unitet dhe mbështetje ndaj kandidatit të tyre për Shtëpinë e Bardhë, ish Presidentit Donald Trump, ndërsa i dhanë fund kuvendit kombëtar në Miluaki.

Për Presidentin Biden është një skenë më e vetmuar. Ai është izoluar në shtëpinë e tij në Dalauer pas ifektimit me COVID-19. Ndërkohë ligjvënës të lartë demokratë i kanë bërë thirrje zotit Biden që të tërhiqet nga gara. Analistët thonë se shanset e presidentit janë të zymta.

“Madje, demokratët nuk mund të vendosin nëse Biden-i është në një situatë problematike apo jo. Dhe nëse po, ta largojnë nga gara dhe në çfarë mënyre. Kjo është një çështje themelore. Nga ana tjetër, republikanët janë bashkuar dhe realizuan një kuvend të mirë. Donald Trump-i, pjesërisht për shkak të atentatit ndaj tij, ndoshta ka më shumë mbështetje publike sesa ka patur më parë”, thotë analisti Larry Sabato me Universitetin e Virxhinias.

Në rrugë private thuhet se presidenti po i dëgjon shqetësimet ndërsa publikisht po u reziston thirrjeve për t’u tërhequr nga gara.

“Kam treguar se di si t’i bëj gjërat për vendin, pavarësisht se u është thënë se ne nuk mund t’i realizonim. Por kemi ende për të bërë, dhe unë hezitoj të tërhiqem”, tha Presidenti Biden gjatë një interviste në kanalin televiziv BET.

65% e demokratëve thonë se zoti Biden duhet të largohet nga gara, sipas një ankete nga AP-NORC.

“Është kulmi i marrëzisë dhe injorancës të pretendosh se e di se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, bazuar në anketa që ndryshojnë vazhdimisht. Dhe t’i detyrosh kandidatët të tërhiqen, vetëm sepse mendoni se ata nuk mund të fitojnë”, thotë profesori Alan Lichtman me Universitetin Amerikan.

Sistemi “Keys to the White House” nga historiani presidencial Alan Lichtman ka parashikuar me saktësi që nga viti 1984 të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, me përjashtim të një rasti. Ai thotë se demokratët duhet të qëndrojnë me zotin Biden.

Sistemi i profesorit Litchman nuk i merrr parasysh anketat. 70% e amerikanëve thonë se nuk janë të sigurtë që zoti Biden ka kapacitetin mendor për të qenë president ndërsa 51% mendojnë të njëjtën gjë për zotin Trump.

Nëse zoti Biden pranon të largohet, një skenar i mundshëm do të ishte që ai të mbështesë një kandidat tjetër. Nënpresidentja Kamala Harris do të ishte një zgjedhje logjike, të paktën nga ana financiare, sepse si pjesë e dyshes Biden-Harris, ajo do të trashëgonte fondet e mbledhura për fushatën presidenciale. /voa