Etnofest ngre lart traditat e shoqërisë shqiptare

Festivali Etnofest në fshatin Kukaj çdo vit mbledh së bashku gjenerata të ndryshme për të festuar dhe ruajtur traditat e lashta të shoqërisë. Edicioni i 14-të i Etnofest-it tashmë ka zhvilluar pjesën e parë të programit të tij. Gjatë këtyre 4 ditëve është vërejtur një rritje e prezencës së një publiku të gjerë, dhe jo […] The post Etnofest ngre lart traditat e shoqërisë shqiptare appeared first on Albinfo.

Etnofest ngre lart traditat e shoqërisë shqiptare

Festivali Etnofest në fshatin Kukaj çdo vit mbledh së bashku gjenerata të ndryshme për të festuar dhe ruajtur traditat e lashta të shoqërisë.

Edicioni i 14-të i Etnofest-it tashmë ka zhvilluar pjesën e parë të programit të tij. Gjatë këtyre 4 ditëve është vërejtur një rritje e prezencës së një publiku të gjerë, dhe jo vetëm nga komuniteti i fushës së artit, por edhe nga adhurues të historisë sonë, atyre që duan ta njohin më thellë kulturën e tyre, traditën e përcjellë gjeneratë pas gjenerate.

Publikut në Etnofest po i ‘ekspozohet’ një gërshetim i artit dhe kulturës shqiptare në detaje, të cilat rikthejnë një nostalgji dhe nevojë për ‘t’u ushqyer’ me ndjenja të thella të origjinës dhe kuptimit të saj. E kur jemi te të ushqyerit, si shoqëri, njëra ndër traditat që ende e konsumojmë është ajo e ushqimit tradicional. Pitja dhe flija, të shoqëruara me djathë natyral dhe perime nga bahçet e shtëpive tona, janë ndër pjatat e preferuara të çdo familje shqiptare, e sidomos në bashkimet familjare. Ndaj gatimi i ushqimit tradicional mbetet edhe sot e kësaj dite simbol i bashkimit në sofër, ndjesi e ngrohtësisë, dashurisë e lirisë të të qenët pranë njerëzve më të dashur, duke shijuar pjatat e begatshme.

Në Etnofest, gatimi shndërrohet në një formë arti, ku çdo hap i procesit është i mbushur me kujtime dhe rrëfime të së kaluarës. Ky aspekt i gastronomisë tradicionale jo vetëm që ruan dhe promovon kulturën shqiptare, por gjithashtu thekson rëndësinë e ushqimit si një element kryesor i identitetit kombëtar. Një karakteristikë tjetër e identitetit tonë, përgjatë shekujve janë edhe veshjet e punuara me dorë.

Këto veshje zënë një vend të veçantë edhe në Etnofest, ku simbolet, ngjyrat dhe detajet e veshjeve i gjejmë në copëza të ndryshme, në mindila, çorape, fustana e këmisha të ekspozuara gjithandej.

“Harmonia e Kohëve nga Brezi në Brez” përshkruan hapjen solemne të festivalit Etno Fest, një ngjarje e mbushur me emocione dhe traditë, ku muzika i bashkon brezat në harmoni. Ky koncert shërbeu si hyrje festive për këtë festival të shquar kulturor, duke sjellë në skenë artistë të spikatur dhe interpretues të talentuar.

Interpretuesit si: soprano e mirënjohur Adelina Paloja, violinistja e shquar Sihana Badivuku, Ansambli vokal “Okteti Plus”, të mrekullueshmit Kori i Fëmijëve “Okarina” dhe ansambli harkor “Amati” të shoqëruar nga pianistët Zana Badivuku Basha dhe Melos Buza, sollën freskinë dhe energjinë magjepsëse në Etno Fest.

Kjo përzierje e artistëve të mëdhenj dhe e zërave të rinj krijoi një bashkim të jashtëzakonshëm tingujsh, që përçuan mesazhin e trashëgimisë kulturore dhe të kalimit të vlerave nga një brez tek tjetri.

Koncerti i dha jetë dhe shpirt hapjes së festivalit, duke përforcuar ndjenjën e bashkimit përmes muzikës dhe artit. Kjo ngjarje u bë një moment magjik që i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe zhvillimin e tyre në një kontekst modern.

The post Etnofest ngre lart traditat e shoqërisë shqiptare appeared first on Albinfo.