Forcat izraelite vrasin pesë militantë në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite tha të enjten se vrau pesë militantë në Bregun Perëndimor, ndërsa kryente operacione kundër terrorizmit për të dytën ditë radhas. Forcat izraelite i vranë militantët brenda një xhamie ku ata ishin fshehur në qytetin e Tulkaremit, tha ushtria. Forcat Izraelite të Mbrojtjes identifikuan një nga militantët si Mohammed Jaber, një komandant i grupit [...]Read More...

Forcat izraelite vrasin pesë militantë në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite tha të enjten se vrau pesë militantë në Bregun Perëndimor, ndërsa kryente operacione kundër terrorizmit për të dytën ditë radhas. Forcat izraelite i vranë militantët brenda një xhamie ku ata ishin fshehur në qytetin e Tulkaremit, tha ushtria.

Forcat Izraelite të Mbrojtjes identifikuan një nga militantët si Mohammed Jaber, një komandant i grupit Xhihadi Islamik dhe thanë se ai kishte qenë i përfshirë në sulme të shumta ndaj izraelitëve.

Forcat izraelite vranë të paktën nëntë persona të mërkurën gjatë bastisjeve dhe sulmeve ajrore në qytetin e Jeninit dhe rreth tij. Grupi militant Hamas tha se10 nga luftëtarët e tij u vranë.

Trupat izraelite dhe kolonët kanë vrarë më shumë se 640 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar, ndërsa sulmet palestineze kanë vrarë të paktën 19 izraelitë.

Forcat izraelite kanë kryer vazhdimisht bastisje në Bregun Perëndimor, duke thënë se synimi është parandalimi i sulmeve të mundshme.

Hamasi i ka quajtur sulmet pjesë të një plani më të madh për të zgjeruar luftën në Gaza dhe duke fajësuar për përshkallëzimin, mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.

Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i Presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, i dënoi sulmet si një “përshkallëzim serioz” dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi të mërkurën në një deklaratë atë që e cilësoi si “dhunë ekstremiste nga kolonët (hebrenj) në Bregun Perëndimor”.

“Ajo shkakton vuajtje të mëdha njerëzore, dëmton sigurinë e Izraelit dhe minon perspektivën për paqe dhe stabilitet në rajon”, thuhet në deklaratë. “Është kritike që qeveria e Izraelit të mbajë përgjegjës çdo individ dhe entitet përgjegjës për dhunën kundër civilëve në Bregun Perëndimor”.

SHBA shpalli të mërkurën sanksione ndaj organizatës joqeveritare izraelite Hashomer Yosh, e cila, sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, pengoi kthimin e banorëve palestinezë në vendbanimet e tyre në Bregun Perëndimor në fillim të këtij viti.

Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se “Izraeli e dënon fuqishëm vendosjen e sanksioneve ndaj qytetarëve të Izraelit. Kjo çështje po diskutohet me forcë me Shtetet e Bashkuara”.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jeruzalemin lindor në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme. Palestinezët duan që të treja territoret të jenë pjesë e një shteti të ardhshëm të tyre.

Qytetarët izraelitë kanë ndërtuar shumë vendbanime në të gjithë Bregun Perëndimor, ku aktualisht banojnë mbi 500,000 kolonë hebrenj. Ata kanë shtetësi izraelite, ndërsa 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën kontrollin ushtarak izraelit dhe Autoriteti Palestinez ushtron kontroll të kufizuar./voa