Incidenti me Osmanin, Miftaraj kritikon Kurtin që shkoi në Shkup: Vizitë e parakohshme dhe gabim
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shkruar të hënën në Facebook se është shumë e rëndësishme Kosova të ketë marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut, të cilat shton se duhet të ngritën në nivelin më të lartë. Por, ai e ka quajtur të parakohshme vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin […]
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shkruar të hënën në Facebook se është shumë e rëndësishme Kosova të ketë marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut, të cilat shton se duhet të ngritën në nivelin më të lartë.
Por, ai e ka quajtur të parakohshme vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup pas skandalit të së enjtes ku në një incident në Aeroportin e Shkupit ishte e përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut do të duhej të kërkonte falje dhe sipas tij Qeveria nuk do të duhej të pranonte kompromis tjetër.
“Raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut duhet të ruhen, promovohen dhe ngritën në nivelin më lartë. Vet fakti se në Maqedoninë e Veriut jetojnë mbi 800 mijë shqiptarë, është interes jetik I këtij shteti dhe anasjelltas i Kosovës dhe Shqipërisë që njëra tjetrën ta shohin si aleat, të sillen dhe veprojnë si aleat duke respektuar njeri tjetrin. Mënyra si është trajtuar institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës është skandal diplomatik dhe më e pakta që do të duhej të pritej ishte kërkim falje nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe qeveria e këtij shteti dhe me zotim se ngjarje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen”.