Java Evropiane e Lëvizshmërisë mbahet me një sërë aktivitetesh në Shkup

Delegacioni i Bashkimit Evropian, Europe House dhe Agjencia për Posta, njoftojnë opinionin për aktivitetet në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit 2024. Aktivitetet do të mbahen më 19 shtator (e enjte), nën moton “Dita e dorëzimit të gjelbër,” një iniciativë që synon të mbështesë lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane dhe mbrojtjen e mjedisit, transmeton Portalb.mk. “Ofertuesi […]

Java Evropiane e Lëvizshmërisë mbahet me një sërë aktivitetesh në Shkup
Çiklist në Shkup. Foto: Meta.mk

Delegacioni i Bashkimit Evropian, Europe House dhe Agjencia për Posta, njoftojnë opinionin për aktivitetet në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit 2024. Aktivitetet do të mbahen më 19 shtator (e enjte), nën moton “Dita e dorëzimit të gjelbër,” një iniciativë që synon të mbështesë lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane dhe mbrojtjen e mjedisit, transmeton Portalb.mk.

“Ofertuesi kombëtar i shërbimeve universale, SHA Posta e Maqedonisë së Veriut, si dhe shtatë ofrues të tjerë të licencuar të shërbimeve postare: Cargo Express DOOEL import-eksport Manastir, DHL Express Maqedonia DOOEL Shkup, IN TIME MK BPS DOO Shkup (UPS), TPL Total Post Logistic DOOEL Shkup, IN POSTA RADESKI DOOEL Shkup, Eco Logistic Service DOO Shkup dhe Via Post DOOEL Shkup, do të mbështesin këtë iniciativë përmes përdorimit të mjeteve të transportit ekologjik (biçikleta, trotinetë elektrikë, dorëzim në këmbë, etj.), për shpërndarjen e pakove postare tek qytetarët. Ky aktivitet do të ndihmojë në uljen e ndotjes dhe do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit. Gjithashtu, kjo iniciativë do të organizohet në të gjithë vendin, në të gjitha rajonet ku do të ketë dorëzim, përfshirë dhe disa qytete të rrjetit Europe House: Shkup, Strumicë, Manastir, Strugë dhe Tetovë”, njoftojnë nga Europe House.

“Dita e dorëzimit të gjelbër” synon të promovojë një mënyrë alternative dhe të qëndrueshme të transportit, e cila është miqësore me natyrën dhe qytetarët, ndërsa përmes kësaj iniciative, ofruesit e shërbimeve postare do të tregojnë gjithashtu përgjegjësinë e tyre shoqërore dhe përkushtimin për lëvizshmëri më të mirë dhe një mjedis më të pastër.

Java Evropiane e Mobilitetit është një fushatë e nisur nga Komisioni Evropian për të rritur ndërgjegjësimin për lëvizshmërinë urbane të qëndrueshme. Kjo iniciativë synon të nxisë ndryshime në zakonet e njerëzve, duke promovuar lëvizshmëri aktive, transport publik të pastër, si dhe zgjidhje të tjera të zgjuara të transportit. Aktivitetet kryesore zhvillohen çdo vit mes datave 16 dhe 22 shtator dhe përfundojnë me “Ditën pa makina.”

Çdo vit, gjithnjë e më shumë qytete bashkohen me këtë iniciativë, e cila ka një interes të madh mediatik dhe njihet si një nxitës i lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.

Ndryshe, me rastin e kësaj jave, hulumtimi i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregoi se përfitimet ekonomike nga ecja për 191 pjesëmarrës në një vit arritën në 108.808 euro dhe 3 vdekje të parakohshme të parandaluara në 10 vjet dhe një kursim prej 1 milion euro për të njëjtën periudhë.