Mediat maqedonase dhe serbe e shfrytëzuan incidentin me presidenten Osmani për nxitjen e gjuhës së urrejtjes në bazë etnike

Më 1 gusht të viti 2024 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u përfshi në një incident diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Ky incident ka nxitur shumë polemika në media, e në veçanti ka pasur reagime të ashpra dhe gjuhë nxitëse nga mediat maqedonase por nuk munguan dhe ato serbe, shkruan Portalb.mk. Autore: Fjolla Zllatku […]

Mediat maqedonase dhe serbe e shfrytëzuan incidentin me presidenten Osmani për nxitjen e gjuhës së urrejtjes në bazë etnike
Foto ilustrim: Vjosa Osmani dhe komentet e titujt e mediave

Më 1 gusht të viti 2024 presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u përfshi në një incident diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Ky incident ka nxitur shumë polemika në media, e në veçanti ka pasur reagime të ashpra dhe gjuhë nxitëse nga mediat maqedonase por nuk munguan dhe ato serbe, shkruan Portalb.mk.

Autore: Fjolla Zllatku dhe Despina Kovaçevska

Çfarë ndodhi?

Sipas deklarimeve të autoritete, gjithçka ka filluar kur sigurimi i Aeroportit të Shkupit i kërkoi Vjosa Osmanit të dorëzonte celularin e saj për skanim, gjë të cilën ajo e ka refuzuar, duke e cilësuar si shkelje të normave ndërkombëtare dhe protokolleve diplomatike. Situata është përshkallëzuar kur një zyrtar i aeroportit dyshohet se kishte tentuar ta shtynte fizikisht Osmanin, duke bërë të nevojshme kështu ndërhyrjen e sigurimit të saj.
Në deklaratën e MPB-së mbi rastin shtohet se gjysmë ore më vonë, tre zyrtarë të sigurisë që punonin për kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, arritën në aeroport “dhe filluan të kërcënojnë punonjësit e Aeroportit dhe të pyesin se kush i kishte shkaktuar probleme presidentes,” duke drejtuar armë drejt stafit të aeroportit.
Ndërkaq, në një deklaratë për mediat, zyra Gashit e mohoi këtë duke thënë se pjesëtarët e sigurisë së tij “ishin të pranishëm vetëm për të qetësuar situatën” e për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes stafit të Osmanit dhe sigurimit të aeroportit. MPB deklaroi se kishte nisur hetim të hollësishëm për incidentin, gjë pas së cilës ngriti kallëzim penal kundër sigurimit të Gashit.

Gjuha e urrejtjes në media për rastin në fjalë

Incidenti me presidenten Osmani ka nxitur shumë polemika në media, e në veçanti ka pasur reagime të ashpra nga mediat maqedonase, disa prej tyre duke e portretizuar atë si rrjedhojë e zbatimit të një mase të arsyeshme sigurie, e të tjera që e kanë kritikuar si skandal diplomatik dhe shkelje të protokolleve ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo që konsiderojmë më të rëndësishme të vëmë në pah është fenomeni i gjuhës së urrejtjes. Pas incidentit, gjuha e urrejtjes në disa media maqedonase dhe komentet që këta artikuj kanë nxitur, duke marrë qartësisht dimensionin etnik, bëheshin dita-ditës më të pranishme.

Në disa media maqedonase dhe platforma online është evidentuar gjuha e urrejtjes në baza etnike, më saktë në disa forume dhe seksione të komenteve janë gjetur terma nënçmues që synojnë shqiptarët, duke përfshirë edhe ata në Kosovë. Këto komente shpesh i referohen konflikteve historike dhe përdornin gjuhë fyese për të poshtëruar kombin shqiptar.

Ndërkaq në media të tjera incidenti cilësohet si një provokim për konflikt nga ana e presidentes më tepër se një keqkuptim diplomatik, duke përbuzur aftësinë e saj të lidershipit me tendencën për të pozicionuar veten superiore ndaj të tjerëve.

Veç këtyre, nuk mungon as gjuha e urrejtjes në formën e nxitjes së dhunës dhe kërcënimeve. Disa zëra ekstremistë kanë bërë thirrje për veprime ndëshkuese kundër shqiptarëve etnikë, duke thelluar armiqësinë dhe ushqyer tensionet ekzistuese midis komuniteteve.

Shembuj të mediave në RMV që kanë nxitur gjuhën e urrejtjes

Fill pas ngjarjes, portali Infomax.mk publikoi një varg artikujsh që sugjeronin se incidenti nuk ishte thjeshtë një mosmarrëveshje diplomatike, por një dëshirë për konfrontim etnik, duke përdorur gjuhë e cila përforcon stereotipet negative për shqiptarët. Një ndër këta artikuj përmbante informacione të rreme për faktin se si presidentja ka mbajtur me vete “çantë të mbushur me para dhe armë të montueshme”.

Infomax me titull që presidentja ka mbajtur me vete “çantë të mbushur me para dhe armë të montueshme”.
Infomax me titull që presidentja ka mbajtur me vete “çantë të mbushur me para dhe armë të montueshme”.

Më tej, mediumi proqeveritar AlfaTV publikoi një tekst, duke sugjeruar se qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së kanë fshehur qëllimisht raste të njëjta në të kaluarën, një postim në Facebook, nën të cilin mund të shihet një lum komentesh negative të ngjyrosura me urrejtje.

Komentet negative dhe nxitëse në postimin e Tv Alfa
Komentet negative dhe nxitëse në postimin e Tv Alfa

Gazeta Sloboden peçat publikoi artikullin me titull provokues “Sjellja prej kauboji e Vjosa e Osmanit dhe sjellja indiane e Afrim Gashit”, ndërsa disa ditë më vonë nxori dhe karikaturën e javës, ku personazh kryesorë ishin po këta të dy, ku duket qartë se autori luan me sterotipet dhe polarizimin e mëtejmë të komuniteteve. 

Sloboden peçat publikoi me titull provokues “Sjellja prej kauboji e Vjosa e Osmanit dhe sjellja indiane e Afrim Gashit”
Sloboden peçat me karikaturën I tejkaluan gjitha kufijtë
Sloboden peçat me karikaturën I tejkaluan gjitha kufijtë

Ndërkaq komentet që nxiten nga reagime të tilla mediatike, ushqejnë po këtë frymë diskrimimuese dhe përçmuese. Kjo mund të shihet në postimin e portalit Fokus mbi deklaratën e particë Levica rreth incidentit, e cila e cilësoi atë si reflektim i mosrespektimit sistemik të institucioneve dhe ligjeve, sidomos nga Afrim Gashi. Këtu komentet, përveçse vijojnë t’i sulmojnë shqiptarët në bazë të etnisë së tyre, cenojnë edhe integritetin e presidentes si femër, duke përdorur gjuhë urrejtje në bazë gjinore.

Komentet ne Fokus
Komentet ne Fokus

Ekspertët konfirmojnë rolin nxitës të mediave

Për këtë temë, Petrit Saraçini, ekspert për media dhe kryetar i Institutit për Media dhe Analitikë IMA në RMV thotë shumë media dështuan në realizimin e rolit të tyre të rëndësishëm shoqëror gjatë raportimit të incidentit.

“Incidenti që ndodhi më 1 gusht 2024 me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit tregoi edhe një herë se një pjesë e konsiderueshme e mediave në gjuhën maqedonase dhe shqipe vazhdojnë të krijojnë realitete paralele mediatike dhe kanë qasje etnocentrike dhe nxitëse në raportimin për temat që i prekin raportet mes dy shteteve apo marrëdhëniet ndëretnike. Për fat të keq, gjatë raportimit për këtë incident shumë media dështuan në realizimin e rolit të tyre të rëndësishëm shoqëror, duke u bërë instrumente të qendrave të caktuara politikë që tentuan ta shfrytëzojnë këtë incident dhe emocionet e shkaktuara te publiku për përfitime politike” shprehet Saraçini.

Biljana Georgievska, drejtoresha ekzekutive e Këshillit për etikë në media (KEMM) në RMV për këtë tendencë në shoqëri thotë se ka rritje në shkeljet e nenit 10 të Kodit të Gazetarëve, veçanërisht nga mediat online.

“Nuk kam përshtypjen nga përvoja e KEMM-it se kujdesi për mospërhapjen e gjuhës së urrejtjes është në krye të agjendës së gazetarëve dhe redaktorëve, sidomos jo detyrimi për të rishikuar rregullisht dhe për të hequr shpejt komentet toksike në rrjetet sociale nën informacionin e publikuar të mediave. Statistikat e KEMM-it tregojnë një rritje të konsiderueshme të shkeljeve të nenit 10 të Kodit të Gazetarëve,  veçanërisht nga mediat online, në disa përmbajtje mediatike ose në komente të lidhura me to, ky është Neni 10 që thotë se “Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë me vetëdije informacione që kërcënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhë urrejtjeje dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim për asnjë bazë”, tha ajo.

Incidenti me presidenten Vjosa Osmani jehoi keq edhe në Serbi

Disa portale online në Serbi, e shfrytëzuan këtë incident dhe spekuluan për atë se çka në të vërtetë ka ndodhur me tituj provokues të tipit Da nije droga? Vjosa Osmani ODBILA da otvori kofer na aerodromu u Skoplju! Potezano i oružje – Faktor magazin, në mënyrë që ta paraqesin presidenten si të korruptuar dhe kriminele, ndërkaq duke mbajtur narrativin manipulativ, se Kosova është shtet në të cilën edhe strukturat zyrtare e mbështesin krimin, madje dhe kur bëhet fjalë për drogë.

Tituli i Politicos “Mos është drogë? Vjosa Osmani ka REFUZUAR të hap valixhen në Aeroportin e Shkupit! Është nxjerrë dhe armë!”
Tituli i Politikos “Mos është drogë? Vjosa Osmani ka REFUZUAR të hap valixhen në Aeroportin e Shkupit! Është nxjerrë dhe armë!”

Edhe pse titujt e tjerë nuk ishin aq keqdashës, megjithatë komentet që ato shkaktuan përmbanin gjuhë të urrejtjes dhe stereotipe për popullsinë shqiptare në Ballkan, si dhe e paraqisnin Serbinë si shteti mëmë që do t’i mbrojë të tjerët nga “egërsia e shqiptarëve.”

Komentet në Politika
Komentet në Politika
Komentet në Politika
Komentet në Politika

Rreth asaj se në ç’mënyrë kanë raportuar mediat në Kosovë, biseduam me Fitim Gashin, gazetar politik dhe hulumtues në Sbunker, organizatë joqeveritare mediatike që punon në drejtim të sigurimit të qëndrimeve analitike dhe esenciale për çështje të rëndësishme politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

“Ndërsa mediat kryesore në Kosovë përgjithësisht mbajtën një ton profesional, kishte disa raste të gjuhës së urrejtjes që u shfaqën, veçanërisht në platformat e mediave sociale. Këto përfshinin komente përçmuese dhe gjuhë nxitëse drejtuar Maqedonisë së Veriut dhe autoriteteve të saj. Reagimet e mediave sociale nga disa përdorues shprehën zemërim dhe zhgënjim, ndonjëherë duke u përshkallëzuar në retorikë nacionaliste dhe stereotipe negative. Presidenca e Kosovës lëshoi një reagim të fortë, i cili u mbulua gjerësisht nga mediat kosovare duke shprehur indinjatë lidhur me “deklaratat e papranueshme” të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe “propagandën” që po përhapet kundër Kosovës në disa media maqedonase” thotë Gashi.

Pavarësisht se në cilën anë ndodhet drejtësia, nga analiza e mësipërme duket qartë se një rol kyç në përshkallëzimin e situatës së tensionuar kanë pasur dhe mediat, të cilat me përzgjedhjen e përmbajtjes për t’ia paraqitur këtë rast publikut, kanë nxitur gjuhën e urrejtjes, duke bërë që rasti të përdoret si një mënyrë për përforcim të tensioneve etnike në vend dhe rajon.

Gjuha e urrejtjes është vepër e ndëshkueshme

Kodi Penal radhit disa krime të nxitura nga gjuha e urrejtjes, përfshirë ato të kryera nëpërmjet internetit. Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndalon transmetimin e përmbajtjeve mediatike që inkurajojnë ose promovojnë diskriminimin, intolerancën ose urrejtjen. Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit ndalon nxitjen e diskriminimit dhe shqetësimin në baza diskriminuese.