Muzeu i harruar i shkronjave në Manastir

Shtëpia ku 116 vjet më parë u mbajt Kongresi që përcaktoi shkronjat, të cilat i përdorin shqiptarët është një nga simbolet më të neglizhuara të trashëgimisë kulturore dhe historike. I The post Muzeu i harruar i shkronjave në Manastir appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Muzeu i harruar i shkronjave në Manastir

Shtëpia ku 116 vjet më parë u mbajt Kongresi që përcaktoi shkronjat, të cilat i përdorin shqiptarët është një nga simbolet më të neglizhuara të trashëgimisë kulturore dhe historike. I themeluar si muze me një vendim të qeverisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 2009, shtëpia-muze nuk ka marrë vëmendjen e merituar nga institucionet brenda dhe jashtë vendit

Edhe pse me vonesë, Shqipëria këtë vit i shtoi kalendarit të festave kombëtare 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit. Të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe qeveria kosovare, ndërsa në Maqedoninë e Veriut – 22 Nëntori është festë (për popullsinë shqiptare) që në vitin 2007.

“Është në fakt diçka e çuditshme, por prapë është forca e një njeriu, e Arbën Xhaferrit që nuk jeton më, por pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 Nëntori të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që tani është koha që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri”, deklaronte kryeministri Edi Rama gjatë Samitit të Diasporës (23 nëntor 2023).

Pavarësisht deklarimeve publike shtëpia ku 116 vjet më parë u mbajt Kongresi që përcaktoi alfabetin shqip është një nga simbolet më të neglizhuara të trashëgimisë kulturore dhe historike. I themeluar si muze me një vendim të qeverisë së Maqedonisë së Veriut në vitin 2009, shtëpia-muze nuk ka marrë vëmendjen e merituar nga institucionet brenda dhe jashtë vendit.

Statujat e silikonit në muzeun e Alfabetit në Manastir

PËR MUZEUN KUJTOHEN MË 22 NËNTOR

Numri i vizitorëve është i vogël, maksimumi deri në dy mijë vizitorë në vit. Më shumë janë nga Maqedonia, ndërsa nga Shqipëria dhe Kosova numri i vizitorëve është i vogël. Duhej të ishte një lloj tempulli, vend pelegrinazhi për shqiptarët, por në fakt nuk është kështu. Kështu shprehet drejtori Zait Aliu. “Kemi pritur që qeveria shqiptare të bënte diçka më shumë, por nuk ka ndodhur. Madje as këtë vit, që 22 Nëntori është shpallur festë edhe në Shqipëri. Dy presidentë shqiptarë e kanë vizituar muzeun, por asnjëherë nga Ministria e Kulturës. Bashkëpunimi është i cunguar dhe ato aktivitete që i kemi bërë me Arkivin e Shtetit, me Muzeun Historik janë bërë falë njohjeve personale”, thotë Aliu.

Me buxhet dhe personel të kufizuar, (një historian dhe edukatore) misioni i muzeut “për mbrojtjen, hulumtimin, mbledhjen, rregullimin dhe përpunimin profesional e shkencor si dhe studimin e objekteve muzeore, që janë të rëndësishme për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe”, ka mbetur i parealizuar.

Pavijonet e brendshme të muzeut të Alfabetit në Manastir

Në muze gjendet ekspozita e përhershme, që përbëhet prej 51 fotografi të personaliteteve që kanë kontribuar për zhvillimin e alfabetit gjatë shekujve, si edhe fotot e delegatëve që morën pjesë në Kongresin e Manastirit (14 – 22 nëntor 1908) dhe 58 dokumente të ndryshme. Po ashtu qëndrojnë të ekspozuara dokumente të ndryshme, mes të cilave edhe kopja autentike e vendimit për shpalljen e alfabetit të gjuhës shqipe, i nënshkruar nga pjesëmarrësit të Kongresit të Manastirit. Por edhe shumë fotografi, objekte…., që nuk e kanë vendin aty, ose nuk lidhen direkt me këtë ngjarje.

“Kështu pa një koncept, pa muzealizim dhe modernizim nuk mund të pretendojmë asgjë. Madje mund të them se përveç statujave prej silikoni të anëtarëve të silikonit në muze, gjenden të ekspozuara shumë gjëra që ndoshta s’e kanë vendin këtu. As Qiriazët, madje as Fehim Zavalani që e dha këtë shtëpi nuk e kanë vendin që meritojnë”, thotë drejtori Aliu. Historiani David Hosaflook nga Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante në Tiranë, nga ku janë zbardhur dhe dokumentuar materiale të rëndësishme për Qiriazët, e cilëson Kongresin si një gol befasues në minutat e fundit të kohës shtesë, që arriti t’i bashkonte shqiptarët rreth një alfabeti, një fitore aq intelektuale dhe politike sa ishte letrare.

ZAIT ALIU
Kemi pritur që qeveria shqiptare të bënte diçka më shumë, por nuk ka ndodhur. Madje as këtë vit, që 22 Nëntori është shpallur festë edhe në Shqipëri. Dy presidentë shqiptarë e kanë vizituar muzeun, por asnjëherë nga Ministria e Kulturës. Bashkëpunimi është i cunguar dhe ato aktivitete që i kemi bërë me Arkivin e Shtetit, me Muzeun Historik janë bërë falë njohjeve personale

PARASHQEVIA, NJË MUNGESË E PAJUSTIFIKUAR

“Për nxënësit që mësojnë për këtë ngjarje kaq unike, të cilët udhëtojnë nga larg për një pelegrinazh drejt Manastirit, duke kënduar Himnin e Alfabetit të Parashqevi Qiriazit në autobus, Manastiri meriton një muze dinjitoz, krijues dhe frymëzues. Përmirësim ishte shtesa e burrave të Komisionit në silikon, por u harrua që pranë mustaqeve ishte edhe një grua. Parashqevia 28- vjeçare nuk u lejua në tribuna zyrtarisht me burrat më 1908, për shkak të kontekstit të vjetër patriarkal, por jemi në 2024 dhe duhet të kujtojmë që ajo bëri punë, gjithashtu, po ashtu si burrat, sidomos menjëherë pas Kongresit, kur alfabeti i ri u sulmua dhe u rrezikua. Le të mos harrojmë që duhet t’i frymëzojmë edhe shqiptaret tona të vogla. Imagjino Parashqevinë shtatëvogël atje në Muze, pranë burrave, në një fustan magjik”, thotë historiani David Hosaflook.

Ai shton se Muzeu i Alfabetit meriton një angazhim shumë më të lartë, e jo vetëm në nëntor. Duhet të shndërrohet në një muze bashkëkohor që shfrytëzon çdo hapësirë që ka. “Ka mijëra mënyra dhe lloj-lloj pavijonesh, për këtë veç vizitoni muzetë e botës për pak frymëzim arkitektural apo programatik. Por ndoshta nevoja më e madhe është vullneti”, sugjeron ai.

DAVID HOSAFLOOK
Manastiri meriton një muze dinjitoz, krijues dhe frymëzues. Përmirësim ishte shtesa e burrave të Komisionit në silikon, por u harrua që pranë mustaqeve ishte edhe një grua. Parashqevia 28- vjeçare nuk u lejua në tribuna zyrtarisht me burrat më 1908, për shkak të kontekstit të vjetër patriarkal, por jemi në 2024 dhe duhet të kujtojmë që ajo bëri punë, gjithashtu, po ashtu si burrat, sidomos menjëherë pas Kongresit, kur alfabeti i ri u sulmua dhe u rrezikua. Le të mos harrojmë që duhet t’i frymëzojmë edhe shqiptaret tona të vogla

Ish zëvendësministri i kulturës, Zef Çuni, flet për një moment bashkëpunimi në vitin 2015 i një nisme të përbashkët, sipas së cilës Instituti i Monumenteve të Kulturës duhej të hartonte projektin për restaurimin e muzeut, ndërsa pala maqedonase duhej të realizonte figurat në silikon të anëtarëve të komisionit dhe të zgjidhte kontestin pronësor. Sipas Çunit projekti restaurues u bë, edhe pse në realitet nuk u vu në zbatim. “Kongresi i Manastirit ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar dhe muzeu është një ndër objektet unikale që duhet t’i jepet rëndësi. Mendoj se Ministria e Kulturës dhe e Ministria e Arsimit e Shqipërisë me ato respektive në Maqedoni duhet që atë ambient t’ia kthejnë muzeut të Alfabetit”, thotë Zef Çuni.

ZEF ÇUNI
Kongresi i Manastirit ka qenë një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për historinë kulturën dhe gjuhën e popullit shqiptar dhe muzeu është një ndër objektet unikale që duhet t’i jepet rëndësi. Mendoj se Ministria e Kulturës dhe e Ministria e Arsimit e Shqipërisë me ato respektive në Maqedoni duhet që atë ambient t’ia kthejnë muzeut të Alfabetit

Muzeu shtrihet në një sipërfaqe totale prej 379 m2, me përjashtim të katit përdhes, i cili në vite ka mbetur peng i një kontesti pronësor. Vitet e fundit zgjidhja vetme, e përkohshme, që i është dhënë është marrja me qera nga Ministria e Kulturës. Ndërsa projekti më serioz për këtë muze ka qenë rikonstruktimi i objektit me një grant nga fondet IPA (mbi 200 mijë euro). Rikonstruktimi filloi në vitin 2018 dhe zgjati jashtë parashikimeve. Muzeu i hapi dyert përfundimisht vitin e kaluar. Rikonstruktimi u bë duke ruajtur identitetin e objektit.

Ky shkrim është prodhuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autores Evis Halili Memedalija dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Evropian. Shkrimi botohet në bashkëpunim me median Citizens.al

This article has been produced with the financial assistance of the European Union. The contents of this document are the sole responsibility of Evis Halili Memedalija and can under no circumstances be regarded as reflecting the position of the European Union. The article is published in cooperation with Citizens.al media.

The post Muzeu i harruar i shkronjave në Manastir appeared first on Flaka, në çdo lajm... .