Opozita, Ligji për Sigurime Shëndetësore manipulim parazgjedhor i kryeministrit

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se Ligji për Sigurime Shëndetësore brenda një apo dy jave do të votohet në mbledhje të Qeverisë ka nxitur reagime te partitë opozitare në vend. Ato vlerësojnë se ky është njeri prej manipulimeve të shumta para zgjedhjeve të kryeministrit Albin Kurti. Kryeministri të martën paralajmëroi se ky ligj mund të […]

Opozita, Ligji për Sigurime Shëndetësore manipulim parazgjedhor i kryeministrit
opozita,-ligji-per-sigurime-shendetesore-manipulim-parazgjedhor-i-kryeministrit

opozita,-ligji-per-sigurime-shendetesore-manipulim-parazgjedhor-i-kryeministrit

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se Ligji për Sigurime Shëndetësore brenda një apo dy jave do të votohet në mbledhje të Qeverisë ka nxitur reagime te partitë opozitare në vend.

Ato vlerësojnë se ky është njeri prej manipulimeve të shumta para zgjedhjeve të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri të martën paralajmëroi se ky ligj mund të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë që mbahet nesër, ose në mbledhjen tjetër, pas së cilës do të ndjekë procedurat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kurti gjithashtu ka paralajmëruar se qytetarët do të përballen me një kosto shtesë si rezultat i sigurimeve shëndetësore, duke nënkuptuar se ata do të paguajnë paraprakisht për shërbimet që mund të kenë nevojë më vonë.

Haxhiu: Për 4 vite Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë arritur  ta sjellin në Kuvend këtë ligj

Në përgjigje të deklaratës së kryeministrit të vendit në lidhje me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së ka thënë për Front Online se Qeveria Kurti ka dështuar plotësisht në sektorin e shëndetësisë në vend.

Haxhiu ka theksuar se kryeministri Kurti ka pranuar publikisht se ka dështuar në implementimin e Ligjit për Sigurimeve Shëndetësore dhe se ka mashtruar në premtimet për implementimin e këtij ligji gjatë mandatit të tij.

Ai ka vënë në dukje se gjatë katër viteve të qeverisjes, Ligji për Sigurimet Shëndetësore nuk është plotësuar as ndryshuar, ndërkohë që Ligji për Shëndetësi dhe Strategjia e Shëndetësisë gjithashtu kanë mbetur në pritje.

Po ashtu, deputeti Haxhiu ka akuzuar qeverinë për menaxhim të dobët dhe keqpërdorim të buxhetit, duke nënvizuar se ky keq menaxhim ka rezultuar në lista të gjata të pritjes për pacientët dhe ikjen e personelit shëndetësor.

“Albin Kurti sot publikisht e paska pranuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë. Ai e paska pranuar se ka mashtruar kur ka premtuar se në mandatin e tij do të implementohen Sigurimet Shëndetësore. Për 4 vite Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë arritur ta sjellin në Kuvend, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, për plotësim dhe ndryshim të disa neneve të tij, ngase nga viti 2014 Ligji për sigurimet shëndetësore është në fuqi. Për 4 vite nuk kanë qenë në gjendje ta miratojnë një Strategji të Shëndetësisë. Si pasojë e këtij keq menaxhimi dhe keqpërdorimeve kemi lista të gjata të pritjes për pacientët, ikje të personelit shëndetësor”, tha Haxhiu për Front Online.

Ai ka kritikuar gjithashtu edhe për shpenzimet e larta për renovime në sektorin e shëndetësisë, duke i cilësuar ato si abuzime dhe duke kërkuar më shumë investime në kapacitetet për trajtim të pacientëve dhe për sigurimet shëndetësore, në vend të shpenzimeve astronomike për fasada dhe renovime.

“Është kriminale të shpenzohen miliona euro ne fasada e renovime me çmime astronomike e të mos shtohen kapacitetet për trajtim të pacientëve e te mbesim pa sigurime shëndetësore”, deklaroi Haxhiu.

Zemaj: Ligji për sigurime Shëndetësore- Improvizim para zgjedhjeve

Për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore është deklaruar edhe ish ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ka hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë për improvizime të papërgjegjshme.

Zemaj ka theksuar se përpjekjet për të futur Ligjin për Sigurimet Shëndetësore para zgjedhjeve janë thjesht një përpjekje për të mbuluar dështimin katërvjeçar në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Ai ka kritikuar Qeverinë për dështimin në funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor, i cili është thelbësor për zbatimin e ligjit.

“Ligji për Sigurime Shëndetësore- Improvizim para zgjedhjeve, sa për të mbuluar dështimin katër vjeçar të rregullimit një prej komponentëve më të rëndësishëm në avancimin e marrjes së shërbimeve shëndetësore. Katër vite dështim për funksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor ku pa të cilin edhe ligji mbetet i pazbatueshëm. Paaftësia, mashtrimi dhe improvizimet mbarojnë me 9 shkurt”, potencoi Zemaj për Front Online.

Dreshaj: Impementimi  ligjit në fund të mandatit- lojë elektorale

Deklaratën e Kryeministrit të vendit lidhur me Ligjin për sigurimet Shëndetësore e komentoi edhe Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili ka theksuar se sigurimet shëndetësore janë një obligim në çdo vend dhe se ky është një premtim që është dhënë që në shkurt të vitit 2021, kur qeveria Kurti ka ardhur në pushtet.

Dreshaj ka theksuar se implementimi i sigurimeve shëndetësore kërkon kohë dhe investime dhe nuk mund të realizohet në fund të një mandati qeverisës.

Ai ka kritikuar qeverinë për tentativën e fundit për të miratuar ligjin në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar atë si një lojë elektorale dhe jo një përpjekje serioze për të implementuar sigurimet shëndetësore.

“Sigurimet shëndetësore janë obligative në çdo vend dhe këto sigurime shëndetësore kanë qenë një premtim i dhënë para shumë kohe pra në momentin kur në muaji shkurt të vitit 2021 kur qeveria Kurti ka ardhur në pushtet. Ky ligj kërkon kohë, kërkon investime dhe nuk mund të realizohen në fund të një mandati qeverisës. Një qeverisje serioze që dëshiron të impelementojë sigurimet shëndetësore duhet që të startojë që në vitin e parë dhe nëse arrin që të bëjë implementimin e sigurimeve shëndetësore deri në fund të mandatit do të jetë sukses” ka thënë ai. / Front Online /