Situata me zjarret në Shëngjin, drejt përmirësimit

Autoritetet në Shëngjin thanë se situata me zjarre është drejt përmirësimit. Prefektura e Lezhës njoftoi se gjatë natës janë shuar disa vatra zjarri, që shpërthyen nga pasditja e së shtunës, transmeton Radio Evropa e Lirë. “‘Për ditën e sotme të do të operojnë të gjithë mjetet e Mbrojtjes nga Zjarri që kanë qenë të pranishme […]

Situata me zjarret në Shëngjin, drejt përmirësimit
Zjarr në Shëngjin. Foto printscren nga video e RTV Klan

Autoritetet në Shëngjin thanë se situata me zjarre është drejt përmirësimit. Prefektura e Lezhës njoftoi se gjatë natës janë shuar disa vatra zjarri, që shpërthyen nga pasditja e së shtunës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“‘Për ditën e sotme të do të operojnë të gjithë mjetet e Mbrojtjes nga Zjarri që kanë qenë të pranishme dhe një ditë më parë, si dhe 300 efektivë të Forcave të Armatosura dhe rreth 100 forca bashkiake. Po operohet në terren për shuarjen e çdo vatre zjarri të ndezur [trungje të ndezura]”, thuhet në njoftimin e Prefekturës së Lezhës.

Një ditë më parë, në Shëngjin situata u përkeqësua pasi flakët përfshin një kompleks turistik në zonën e njohur si ‘Rana e Hedhun’ . Zjarri arriti deri në bregdet.

Përveç forcave zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë si dhe dy avionë Canadair, të ardhur nga Italia, si pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

Ministri i Brendshëm, ende në detyrë, Taulant Balla, ishte mbrëmjen e 30 korrikut në Shëngjin, nga ku tha se po kërkohet ndihmë shtesë nga jashtë vendit për të vënë nën kontroll situatën me zjarre.

“Jemi në kontakte me [misionin e NATO-s në Kosovë] KFOR për të marrë helikopterët e tyre. E gjitha punë jonë është e pamundur të japë rezultatin që duam. Situata më e vështirë është te ‘Rana e Hedhun’. Por, jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, te kisha. Është një kurorë e mbjellë me pisha dhe pisha është si një mjet shpërthyes”, tha Balla.

Ai po ashtu tha se nuk ka të dhëna se shpërthimi i zjarrit të ketë qenë i qëllimshëm.

Shqipëria ka rreth 147 mjete zjarrfikëse dhe 1.300 efektivë dhe dy helikopterë Cougar, që sipas autoriteteve janë të pamjaftueshme për të përballuar situatën që krijohet me zjarre gjatë verës.