Në përbërjen e PE-së, një deputet shqiptar nga Suedia dhe një grek nga Shqipëria

Në këtë përbërje të Parlamentit Evropian janë gjithsej 720 deputetë, që i bie 15 më shumë se në përbërjen e mëhershme, raporton Koha.net. Prej tyre 39 për qind janë femra, ndërsa 54 për qind janë zgjedhur si deputetë për herë të parë. Parlamenti Evropian të enjten do të votojë edhe për zgjedhjen e Ursula von […]

Në përbërjen e PE-së, një deputet shqiptar nga Suedia dhe një grek nga Shqipëria
Zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Foto: PE/Twitter(X)

Në këtë përbërje të Parlamentit Evropian janë gjithsej 720 deputetë, që i bie 15 më shumë se në përbërjen e mëhershme, raporton Koha.net. Prej tyre 39 për qind janë femra, ndërsa 54 për qind janë zgjedhur si deputetë për herë të parë. Parlamenti Evropian të enjten do të votojë edhe për zgjedhjen e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian për një mandat të ri pesëvjeçar. Në rast se ajo nuk i merr së paku 361 vota, atëherë BE-ja mund të hyjë në një krizë institucionale.

Në seancën e parë plenare, të hënën, është konstituar përbërja e dhjetë e Parlamentit Evropian me mandat pesëvjeçar, dhe që në fillim është rizgjedhur si presidente e Parlamentit, Roberta Metsola.

Ajo ishte në krye të Parlamentit Evropian edhe në pjesën e dytë të mandatit në përbërjen e kaluar, ndërsa edhe tash do ta ushtrojë këtë funksion për dy vjet e gjysmë, për t’ia lëshuar vendin pastaj një deputeti nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve.

Zgjedhja e Metsolës është rezultat i një pajtimi mes tri grupeve kryesore politike për një paketë, në të cilën janë edhe tri funksione të tjera udhëheqëse në institucionet e BE-së.

Roberta Mestola nga Malta ka marrë 562 vota nga 699 deputetë të pranishëm, shumë përtej shumicës së nevojshme prej 50 për qind, plus një votë. Pas votimit Metsola u ka premtuar deputetëve se nuk do t’i zhgënjejë dhe do të punojë për një Evropë më të drejtë, më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Ajo në veçanti tha se do të angazhohet për vazhdimin e ndihmës për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin nga Rusia.

“Na duhet të ngrihemi dhe të jemi gati. Në mandatin e fundit mësuam se e ardhmja nuk është asgjë tjetër veçse e paparashikueshme. Kjo duhet të jetë një shtëpi që nuk mund të ketë frikë për të udhëhequr dhe për të ndryshuar. Ne kemi filluar, por nuk kemi mbaruar ende”, ka thënë Metsola në fjalimin e saj.

Në këtë përbërje të Parlamentit Evropian janë gjithsej 720 deputetë, që i bie 15 më shumë se në përbërjen e mëhershme. Prej tyre 39 për qind janë femra, ndërsa 54 për qind janë zgjedhur si deputetë për herë të parë.

Parlamenti Evropian në këtë përbërje do të ketë tetë grupime politike, një më shumë se ai para tij. Grupimi më i madh, me 188 deputetë, do të jetë ai i qendrës së djathtë me emrin Partia Popullore Evropiane. Socialistët dhe Demokratët me 136 kanë mbetur në vendin e dytë, ndërsa në të tretin tash është ngjitur grupimi i ri i krijuar nga partitë e ekstremit të djathtë “Patriotët për Evropën” me 83 deputetë. Konservatorët janë në vendin e katërt me 78 deputetë, ndërsa me vetëm një deputet më pak në pozitën e pestë janë liberalët që kanë shënuar rënie të madhe.

Grupimi i të Gjelbërve është në pozitën e gjashtë me 53 deputetë, ndërsa pas tyre vijnë grupi i të majtëve me 46, dhe ai i Sovranistëve me 25 deputetë. Të tjerët, pra 33 deputetë, do të veprojnë si të pavarur jashtë grupeve ekzistuese politike.

Në këtë përbërje do te jetë edhe një deputet shqiptarë nga Suedia dhe një deputet grek nga Shqipëria.

Deputeti me prejardhje shqiptare dhe me shtetësi suedeze është Adnan Dibrani nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve. Para tij, nga Suedia ka qenë edhe një eurodeputete, Arba Kokalari, nga radhët e Partisë Popullore Evropiane.

Ndërsa nga Shqipëria i zgjedhur në listën e Partisë greke Demokracia e Re është Alfred Beleri. Atij i është dhënë leja e posaçme nga autoritetet e burgjeve në Shqipëri ku po e vuan dënimin për shkak të manipulimeve në procesin zgjedhor, për të bërë betimin.

Parlamenti Evropian të enjten do të votojë edhe për zgjedhjen e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian për një mandat të ri pesëvjeçar. Në rast se ajo nuk i merr së paku 361 vota, atëherë BE-ja mund të hyjë në një krizë institucionale, pasi do të duhej të organizohej një samit i ri i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare për të zgjedhur një kandidat tjetër.