Taravari pas njoftimeve për “Akademi Shqiptare”: Nuk kemi mosmarrëveshje në koalicion, ka qenë përcaktimi ynë programor që para zgjedhjeve

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët në koalicionin “VLEN”, Arben Taravari, thotë se në koalicionin qeverisës nuk ka asnjë mosmarrëveshje pas idesë së krijimit të “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”. Sipas Taravarit, ideja e krijimit të Akademisë Shqiptare ishte përcaktimi i tyre programor që në fushatën para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk. […]

Taravari pas njoftimeve për “Akademi Shqiptare”: Nuk kemi mosmarrëveshje në koalicion, ka qenë përcaktimi ynë programor që para zgjedhjeve
Arben Taravari. Foto nga Facebook zyrtar i Arben Taravarit

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët në koalicionin “VLEN”, Arben Taravari, thotë se në koalicionin qeverisës nuk ka asnjë mosmarrëveshje pas idesë së krijimit të “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”. Sipas Taravarit, ideja e krijimit të Akademisë Shqiptare ishte përcaktimi i tyre programor që në fushatën para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Taravari thotë se idenë e kanë nisur si iniciativë e katër komunave dhe shpreson se në të ardhmen do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.

“Nuk kemi asnjë mosmarrëveshje. Unë gjithmonë mendoj se idetë për shkencën dhe artin janë të mira dhe të bukura. Kështu që tani për tani kemi filluar si iniciativë e katër komunave dhe shpresoj se në të ardhmen do të gjejmë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni”, tha Taravari.

Taravari thotë se pajtohet me reagimin e djeshëm të VMRO-DPMNE-së, e cila është edhe partneri i tyre në koalicion, se shkenca nuk duhet të etnizohet.

“Shkenca nuk etnizohet kurrë, nuk e etnizojmë. Kemi më shumë Universitete, do të kemi më shumë institucione që merren me shkencë dhe art, dhe këto institucione duhet t’i zhvillojmë sa më shumë dhe t’i mbështesim. Të gjithë të bëjmë maksimumin që shkenca dhe arti i të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni të zhvillohet sa më bukur dhe më mirë”, shtoi Taravari.

Qëndrimi i tyre u përsërit edhe sot nga koalicioni “VLEN”, nga ku thanë se qëllimi i kësaj ideje është integrimi i intelektualëve shqiptarë brenda shtetit, jo përçarja, segregimi apo krijimi i paralelizmit, sepse siç thonë ata, për shumë kohë shqiptarët janë përballur me dyer të mbyllura nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut (ASHAAM).

Lidhur me ankesat e partnerëve të koalicionit, ata thanë se reagime mund të ketë gjithmonë, por se nuk i shmangen premtimit parazgjedhor dhe angazhimit që votuesit shqiptarë të jenë të kënaqur me qeverisjen e tyre.

Krerët e koalicionit “VLEN” kanë njoftuar këtë fundjavë nga Tetova se do të sigurohet financim komunal për shoqatën “Akademia e Shkencave dhe e Arteve Shqiptare”.

Financimi komunal, siç thonë nga “VLEN”, duhet të jetë një zgjidhje e përkohshme dhe do të kërkojnë që akademia të financohet nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, përmes një reagimi edhe LSDM është shprehur kundër hapjes së Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve.

“AShAAM duhet të mbetet institucioni i vetëm në të cilin anëtarësohen shkencëtarë të njohur nga të gjitha bashkësitë etnike. Edhe ASHAAM-ja duhet të jetë institucion që nuk guxon të jetë partiak apo të keqpërdoret nga individë për nevoja politike ditore. Kjo është diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Por ajo që duhet të dijë opinioni është se çfarë premtoi Mickoski para formimit të Qeverisë lidhur me këtë kërkesë të VLEN-it? Kjo nuk është hera e parë që VLEN dhe drejtuesit e saj e përmendin Akademinë Shqiptare si projekt, por Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë heshtur me kokëfortësi”, thonë nga LSDM.

Reagim ka ardhur edhe nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, partia e të cilit është gjithashtu pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas tij, bëhet fjalë për populizëm paszgjedhor nga ana e partnerit “VLEN”, e cila tha se duhet të jetë e orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik të shtetit, një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe një angazhim thelbësor për shtypjen e krimit dhe korrupsionit, duke përfshirë, siç thotë ai, dhe korrupsionin politik. Për këtë, sipas Dimitrievskit, duhet ofruar edhe kuadro me të kaluar të pastër pa krime.

BDI-ja ka thënë se “VLEN” është dashur ta marrë drejtimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, e jo, siç thonë ata, të dalë me “idenë e madhe komunale”.

Për këtë çështje është shprehur edhe akademiku Vlado Kambovski, i cili në një paraqitje i ftuar në TV 24 tha se një strukturë e tillë është e pamundur të ekzistojë në një vend ku tashmë ekziston Akademia.