VMRO-ja ua hedh fajin gjyqtarëve për arratisjen e Blerim Ramadanit, LSDM-ja MPB-së dhe Toshkovskit

Arratisja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, është një nga temat kryesore në kumtesat  partiake të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së opozitare. Vlerësimi i qeverisë është se Ramadani është liruar në arrest shtëpiak, prej nga është arratisur, nga gjyqtarët që, siç thonë ata, me vite të tëra i shërbejnë dhe mbrojnë […]

VMRO-ja ua hedh fajin gjyqtarëve për arratisjen e Blerim Ramadanit, LSDM-ja MPB-së dhe Toshkovskit
Protesta në Shkup për Blerim Ramadanit, Foto: Printscreen nga video nga TV21

Arratisja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, është një nga temat kryesore në kumtesat  partiake të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së opozitare. Vlerësimi i qeverisë është se Ramadani është liruar në arrest shtëpiak, prej nga është arratisur, nga gjyqtarët që, siç thonë ata, me vite të tëra i shërbejnë dhe mbrojnë krimin e LSDM-së dhe BDI-së, transmeton Portalb.mk.

“Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që persona të tillë lirohen. Në vitin 2019 u lirua edhe kosovari Tomor Morina, i cili në Kosovë u mirëprit me muzikë, nga të njëjtët gjyqtarë dhe ekipi që kontrollohet nga LSDM-ja dhe BDI-ja. LSDM dhe BDI janë kancer dhe burim i krimit në këtë shoqëri dhe përgjegjësi do të ketë për të gjithë ata që pengojnë drejtësinë”, tha VMRO-DPMNE.

Partia në pushtet pyet se pse Këshilli Gjyqësor nuk ka reaguar ndaj vendimit të gjyqtarëve për ndryshimin e masave të sigurisë për Ramadanin – organ për të cilin qeveria insiston që të shpërndahet.

LSDM-ja opozitare, nga ana tjetër, pretendimin se fajin për arratisjen e Blerim Ramadanit e ka Gjyqësia e konsideron si spin nga pushteti. Ata fajësojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe ministrin Pançe Toshkovski, të cilët akuzojnë se qëllimisht e liruan Ramadanin.

“A ka provë më të madhe se ai është liruar qëllimisht nga MPB-ja dhe Toshkovski, se vetëm një ditë pas arratisjes është rehat në shtëpi dhe nga Kosova ende po vijnë mesazhe të qarta se ai është atje? Kë po përpiqen të mashtrojnë institucionet se ky nuk është një skenar i plotë i realizuar nga Ministria e Brendshme? Kush do të përgjigjet për arratisjen e një personi të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar?”, thonë nga LSDM.

Partia vlerëson se Toshkovski është ministri më i paaftë i Punëve të Brendshme dhe se duhet menjëherë të largohet nga posti. Në mandatin e tij gjashtëmujor, sipas LSDM-së, siguria është përkeqësuar në çdo segment.

Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoni.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.