25 vite pas përfundimit të luftës mbi 1600 persona ende mbeten të zhdukur

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, reflektimi mbi pasojat e luftës së fundit në Kosovë është më i ndjeshëm se kurrë. Më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës në vitin 1999, mbi 1600 persona ende mbeten të zhdukur, dhe familjet e tyre vazhdojnë të përballen me pasigurinë dhe dhimbjen e humbjes. […]

25 vite pas përfundimit të luftës mbi 1600 persona ende mbeten të zhdukur
25-vite-pas-perfundimit-te-luftes-mbi-1600-persona-ende-mbeten-te-zhdukur

25-vite-pas-perfundimit-te-luftes-mbi-1600-persona-ende-mbeten-te-zhdukur

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, reflektimi mbi pasojat e luftës së fundit në Kosovë është më i ndjeshëm se kurrë.

Më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës në vitin 1999, mbi 1600 persona ende mbeten të zhdukur, dhe familjet e tyre vazhdojnë të përballen me pasigurinë dhe dhimbjen e humbjes.

Gjatë kësaj periudhe, janë kryer disa operacione për zhvarrimin e varrezave masive në Kosovë dhe Serbi, duke ndihmuar në identifikimin e rreth 70 për qind të personave të zhdukur. Megjithatë, shumë familje ende presin përgjigje për fatin e të dashurve të tyre.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për zbardhjen e fatit te të zhdukurve. Ai deklaroi:

“Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur është një mundësi për të bërë thirrje për drejtësi dhe për të rifreskuar angazhimin tonë për të ndihmuar çdo familje që ende kërkon informacion për të dashurit e tyre. Në këto 25 vjet, ne kemi bërë përparime të rëndësishme në identifikimin e të zhdukurve, por puna jonë nuk ka përfunduar. Angazhimi ynë për të gjetur çdo individ dhe për të ofruar ngushëllim për familjet e prekura është i patundur” ka thënë ai.

Kurti gjithashtu shpalli fillimin e përgatitjeve për gërmime në Kozhle në Serbi në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai shprehu shpresën që kjo përpjekje nuk do të jetë një strategji e re e shtetit serb për të shmangur kërkimin e trupave të mbetjeve në lokacione të tjera në Serbi.

Kryeministri kërkoi hapjen e arkivave serbe dhe theksoi se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për këtë çështje, duke përmendur marrëveshjen e arritur më 2 maj në Bruksel.

Andin Hoti kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur tha se pas kërkesave të vazhdueshme dhe dy takimeve të fundit në Gjenevë me palën serbe, janë parashtruar mbi 20 kërkesa, dhe pritet që dy lokacione të fillojnë aktivitetet këtë vit.

Hoti theksoi se për lokacionin e Kozhlës është realizuar vizita e parë para dy ditësh, e cila përfshinte pjesëmarrjen e anëtarëve të delegacionit të Kosovës.

Ai theksoi se është ri-përsëritur kërkesa për informacion të nevojshëm për këtë lokacion, për të shmangur situatën e ngjashme me Rudnicën dhe Kizhevakun, ku ekipet kanë kryer gërmime për rreth 10 vjet. Hoti kërkoi që procedura të mos zvarritet edhe në këtë lokacion.

 “Faktikisht, Delegacioni i Kosovës në kuadër të grupit punues merret me aktivitetet jashtë territorit të Kosovës. Si pasojë e kërkesave tona të vazhdueshme, duke përfshirë dhe dy takimet e fundit që kishim në Gjenevë me palën serbe, nga mbi 20 kërkesat që kemi parashtruar, presim që dy nga këto lokacione të fillojnë këtë vit. Për lokacionin Kozhle, kemi pasur vizitën e parë para dy ditësh, ku kanë marrë pjesë edhe anëtarë nga delegacioni i Kosovës. Ne e kemi ri-përsëritur kërkesën tonë për informacionet e nevojshme për këtë lokacion, në mënyrë që të mos përsëritet historia si në Rudnicë dhe Kizhevak, ku ekipet kanë bërë rreth 10 vite gërmime, dhe të mos tentojnë të zvarrisin procedurën përmes këtij lokacioni edhe për shumë vite tjera,” u shpreh Hoti.

Një tjetër kërkesë e përmendur nga Kryeministri është rikthimi në Batajnicë, bazuar në analizat e informacioneve dhe diskutimet gjatë dy takimeve me palën serbe.

Hoti theksoi se Serbia është zotuar të japë çdo dokumentacion që ndihmon në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, por zbatimi i kësaj zotimi kërkon mbështetje ndërkombëtare.

“Lokacioni tjetër që u përmend sot nga z. Kryeministër është kërkesa për rikthim në Batajnicë, si rezultat i analizave që kemi bërë mbi informacionet që posedojmë, dhe si rrjedhojë e diskutimeve gjatë dy takimeve të grupit punues me palën serbe. Në raport me arkivat, ne e kemi thënë disa herë, Serbia është zotuar të japë çdo dokumentacion, qofte edhe të klasifikuar, që ndihmon në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, në momentin që ka pranuar deklaratën e personave të zhdukur. Por për zbatimin e kësaj, duhet mbështetje ndërkombëtare, duke e kushtëzuar Serbinë që të zbatojë deklaratën e miratuar më 2 maj 2023,” tha Hoti.