Agjencia për Ushqim dhe Veterinari: Mbroni edhe kafshët nga temperaturat e larta

Në kushtet e temperaturave të larta të jashtme, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) apelon që të kohet kujdes për kafshët shtëpiake. Reduktimi i konsumit të ushqimit, rritja e nevojës për ujë, ulja e prodhimit të qumështit dhe rritja e dobët janë disa nga pasojat në shëndetin e kafshëve që mund të shkaktohen nga temperaturat […]

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari: Mbroni edhe kafshët nga temperaturat e larta
Mace. Foto: Fisnik Xhelili/Poralb.mk

Në kushtet e temperaturave të larta të jashtme, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) apelon që të kohet kujdes për kafshët shtëpiake. Reduktimi i konsumit të ushqimit, rritja e nevojës për ujë, ulja e prodhimit të qumështit dhe rritja e dobët janë disa nga pasojat në shëndetin e kafshëve që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta, transmeton Portalb.mk.

“Një përqindje e lartë e lagështisë dhe ajri i pamjaftueshëm në ndërtesa mund të shkaktojë goditje nga nxehtësia, dhe goditja e diellit shfaqet si pasojë e ekspozimit të menjëhershëm, të drejtpërdrejtë të kafshëve në diell, dhe rezultati mund të jetë fatal për kafshët nëse nuk veprohet në kohë. Puna e vështirë apo transportimi i kafshëve në temperatura të larta kontribuon më tej në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, sqaron AUV.

Frymëmarrje e shpejtë dhe e cekët, e paqëndrueshme, mukoza e thatë, rritja e temperaturës së trupit, pulsi i shpejtë, shikimi i frikësuar, etja e shtuar, tikat dhe spazmat e muskujve që ndodhin në raste më të rënda, janë disa nga simptomat me të cilat mund të njihet goditja nga nxehtësia dhe djegiet nga dielli tek kafshët, për të cilat është i nevojshëm reagim i menjëhershëm.

“Në kushte të tilla, kafsha duhet të vendoset në një hapësirë të freskët dhe ngadalë t’i jepet një sasi e mjaftueshme e ujit të freskët. Temperatura e trupit duhet ulur duke vendosur kompresa të ftohta (duke mbuluar kokën dhe qafën me një leckë të ftohtë dhe të lagur), dush/spërkatje me ujë mesatarisht të ftohtë, por duhet pasur kujdes që kafsha të mos ftohet shumë shpejt”, thotë AUV.

Përveç kësaj, kafshët duhet të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj rrezatimit diellor, gjegjësisht duhet të ketë tenda ose hije natyrale. Kafshët në ferma duhet të kenë gjithmonë qasje në ujë të pijshëm të freskët.

Pronarët e kafshëve shtëpiake duhet të kujdesen që të mos i lënë kafshët shtëpiake në makinë të mbyllur që ekspozohet drejtpërdrejt në diell dhe të shmangin shëtitjet gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

“Nëse keni mundësi, siguroni kafshëve dhe të pastrehëve që nuk kanë kush të kujdeset për to, në kushtet e temperaturave të larta të jashtme, sasi të mjaftueshme dhe disponueshmëri të vazhdueshme të ujit të pijshëm të freskët dhe të pastër”, apelon AUV.

Më tej agjencia u bën thirrje qytetarëve që t’i kushtojnë vëmendje sigurisë së ushqimit, ku dhe kur bëjnë pazar, por edhe mënyrën e përgatitjes dhe ruajtjes së tyre për të parandaluar mundësinë e helmimit.

Gjithashtu u bëhet thirrje operatorëve ushqimorë në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta të jashtme, që të kujdesen për ruajtjen e standardeve HACCP dhe parimeve të praktikës së mirë të prodhimit dhe higjienës në prodhimin, transportin dhe tregtimin e ushqimeve për të parandaluar rreziqet e mundshme.