Aksion në tri lokacione në Prishtinë, me njësi speciale arrestohen 4 të dyshuar për fajde

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm”. Aksioni është zhvilluar në tri lokacione në Prishtinë. “Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e […]

Aksion në tri lokacione në Prishtinë, me njësi speciale arrestohen 4 të dyshuar për fajde

Katër persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm”.

Aksioni është zhvilluar në tri lokacione në Prishtinë.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftimit të dukurisë së fajdesë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, sot, me datën 19 shtator 2024, ka realizuar operacion policor, me ç’rast ka zbatuar urdhërkontroll në 3 lokacione në Prishtinë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale ‘fajde’ nga neni 331 i KPRK-së dhe ‘organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’ nga neni 294 i KPRK-së.”

Ata dyshohen se në vazhdimësi e kanë detyrar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar para si interes nga fajde. Të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.

“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.”

Policia njofton se janë sekuestruar dëshmi të ndryshme.

“Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.”

Të dyshuarit, A. A., S. A., E. G. dhe A. G., janë ndaluar për 48 orë.