U kapën edhe me mesazha | Afera e ryshfetit të hetuesve që e “varrosi” ATK-ja

Bilall Dragusha është njëri nga hetuesit që biznesmeni Feim Pulaj në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi e ka përmendur si pjesë e grupit që ia kërkuan 900 mijë euro ryshfet. Por, ky nuk është rasti i parë i tij. Vite më parë ai u denoncua për një tjetër aferë, ryshfet, por që ATK-ja e […]

U kapën edhe me mesazha | Afera e ryshfetit të hetuesve që e “varrosi” ATK-ja
u-kapen-edhe-me-mesazha-|-afera-e-ryshfetit-te-hetuesve-qe-e-“varrosi”-atk-ja

u-kapen-edhe-me-mesazha-|-afera-e-ryshfetit-te-hetuesve-qe-e-“varrosi”-atk-ja

Bilall Dragusha është njëri nga hetuesit që biznesmeni Feim Pulaj në një intervistë ekskluzive për Gazetën Insajderi e ka përmendur si pjesë e grupit që ia kërkuan 900 mijë euro ryshfet. Por, ky nuk është rasti i parë i tij. Vite më parë ai u denoncua për një tjetër aferë, ryshfet, por që ATK-ja e “varrosi” si rast. Insajderi sjell detajet, dokumente e mesazhe me biznesmenin që dyshohet se i kërkuan “kompensim” me kërcënimin që do t’i hapin rast në Polici.

Bilall Dragusha. Ky është njëri nga hetuesit e ATK-së që në këtë intervistë ekskluzive për Insajderin e ka përmendur biznesmeni Feim Pulaj. Por, kjo nuk është hera e parë që emri i tij përmendet për aferë ryshfeti. Shumë vite më parë, Bilall Dragusha e Bekim Halili ishin denoncuar nga vet shefat e tyre të Njësia e Standardeve.

Shefat e qitën në letër një rast që ata thonin se një biznesmeni, jashtë orarit, e përmes një dhëndëri të familjes së Dragushës i kishin kërkuar kompensim me kërcënimin që mund ti hapin rast e ta bëjnë për polici.

Këta janë dy hetuesit që u denoncuan nga mbikëqyrësit e tyre, por që hulumtimi i Insajderit ka gjetur se asgjë nuk iu ndodhi. Standardet Profesionale në ATK e pranuan denoncimin, e Pranoi edhe Policia, rrjedhimisht u informua edhe Prokuroria, por nga asnjëri prej këtyre institucioneve nuk kemi pranuar informacion se çka ka ndodhur me këtë rast.

Gazeta Insajderi i ka kontaktuar edhe personat e përmendur në denoncim. Bilall Dragusha është kontaktuar direkt në e-mailin e tij zyrtar. Por, asi ai nuk ka komentuar. Nuk kanë komentuar as ish-shefat e tyre që kishin bërë denoncimin.

Por, si ndodhi krejt rasti?

Si dyshohet se dy punonjësit e ATK-së tentuan që të merrnin ryshfet nga biznesi që e inspektuan? Si e përdorën dhëndërin e familjes, një kontabilist, si ndërmjetës apo “sekser”?

Në denoncimin që shkoi në Standarde të ATK-së tregohet se shefat kishin pranuar informacione se dy hetuesit tatimorë Bilall Dragusha dhe Bekim Halili, gjatë kryerjes së detyrave, kanë bërë presion tek një tatimpagues, pronari i një firme për dyer e dritare që të përfitonin kompensim për vete,  por pa caktuar ndonjë vlerë.

“Forma e presionit ka qenë, se ne jemi Njësi Hetuese dhe subjektin tënd mund ta dërgojmë në Polici apo Prokurori dhe mund t’i hapim hetimet”, thuhet në letrën e denoncimit.

Pas shumë veprimeve dhe takimeve që kanë pasur, këta dy hetues kanë përdor si ndërmjetësues M.R. këshilltar financiar tek një firmë tjetër por edhe dhëndëri i familjes së Bilall Dragushës, specifikon letra dhe bënë me dije se bash te firma ku i punon dhëndëri i familjes Dragusha kishte qenë në kontroll hetimore, por kurrë nuk kishte treguar se e ka këtë lidhje që rrezikon konfliktin e interesit.

Me datën 21 Korrik 2015, pronari i firmës që po i kërkohej ryshfeti kishte shkuar tek ATK-ja për t’i dërguar disa raporte që i kishte kërkuar hetuesi Bilall Dragusha dhe sapo kishte dalë nga zyra dy shefa të ATK-së e kishin marrë në zyrë për ta sqaruar informacionin që kishin marrë se po i bëhej presion nga Dragusha e Halili.

“Ai në detaje na njoftoi me këto presione, formën se si kanë ardhur deri tek ai përmes ndërmjetësuesit të cilin nuk e kishte njohur asnjëherë me parë. Takimet që kanë pas gjatë dhe pas orarit të punës. Pastaj përmes mesazheve dhe bisedave telefonike për t’u takuar dhe për t’u pajtuar me ndonjë  kompensim”, thuhet tutje në denoncim.

Biznesmeni që dy hetuesit po i kërkonin ryshfet kishte thënë që ka qenë i gatshëm që nëpërmjet dhëndëri ndërmjetës- “sekser”, që t’ju paguaj ndonjë pushim dhe jo më shumë, por “sekseri” i kishte thënë se “për pushime i kam rregulluar moti”.

Takimi i fundit mes biznesmenit, dhëndërrit “sekser” dhe Bilall Dragushës kishte ndodhur më 20 korrik 2015, në ora 17:00, në një restaurant në Fshatin Prugovë, ku i pranishëm. Hetuesi tjetër nuk mori pjesë me arsyetimin se çka të merret vesh Dragusha, ai është në rregull.

Afera që e “varrosi” ATK-ja ishte dëshmuar edhe me mesazha

Krejt këtij denoncimi i ishin bashkangjitur edhe mesazhe telefonike për të dëshmuar këtë aferë ryshfeti, mesazhe që i ka Gazeta Insajderi.

Biznesmeni, sipas denoncimit, nga dy hetuesit e ATK-së kishte marrë pos kërkesë për ryshfet që ata i thonin kompensim, mori edhe informacionin se kjo po bëhej në emër të shefit, por pa treguar cilit shef. E më vonë, të dy shefat ishin bash ata që e denoncuan në Standarde.

Shefat e Bilal Dragushës e Bekim Halilit kishin tentuar që ta bindnin biznesmenin që iu kërkua kompensim që të bashkëpunonte me Standardet e ATK-së, apo edhe me Krimet Ekonomike të Policisë, por ai refuzoi i frikësuar “…ai ishte kategorik për mosbashkëpunim të mëtutjeshëm, me arsyeje se më shumë do të maltretohet ai, se sa këta hetues”, thuhet në denoncim, por bëhet me dije se më vonë pranoi që ti jepte kopjet e mesazheve që kishin shkëmbyer.

Nga mbikëqyrësit e tyre Bilall Dragusha e Bekim Halili ishin përballur me denoncimin e biznesmenit dhe presionin që po i bëhej. Për lidhjet me dhëndërin që e përdorën si “sekser” dhe Dragusha e kishte pranuar që askënd nuk e ka njoftuar për lidhjen familjare që e ka me të.

Dragusha nuk kishte mundur, sipas denoncimit, që të përgjigjej në shumë pyetje që e sfiduan mbikëqyrësit e tij, derisa për takimin në restaurant mes tij, dhëndërin “sekser” e biznesmenit që po i kërkonin ryshfet me emrin kompensim, kishte thënë që e ka kërkuar vet biznesmeni.

“Në fakt nuk është e vërtetë sepse këta kanë kërkuar që të takohen edhe gjatë orarit, por nuk kanë mundur, pastaj e kanë lënë pas orarit”, thuhet në denoncim.

Bilall Dragusha është njëri nga personat që i ka përmendur edhe biznesmeni Feim Pulaj që sipas tij i kanë këkruar hic më pak se sa 900 mijë euro ryshfet. Prokuroria në Prishtinë i ka konfirmuar Gazetës Insajderi që ka nisur hetim për personat që i denoncoi Pulaj, e ata janë : Zëvendësdrejtori i ATK-së Njazi Asllani Zëvendës Drejtori i Hetimeve Tatimore, Jeton Dragusha dhe Inspektorët tatimorë: Bilall Dragusha, Valon Neziri, e Fidan Tolaj, dhe personat e tjerë zyrtarë të cilët do mund të identifikohen gjatë hetimit kanë kryer vepër penale. /Insajderi.org