Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të shpallur në kërkim

Policia e Shtetit ka finalizuar në bashkëpunim me partnerët gjermanë dy operacione, të koduara “Para drejtësisë” The post Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të shpallur në kërkim appeared first on Albinfo.

Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të shpallur në kërkim

Operacionet u realizuan falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë me Interpol Wiesbaden/Gjermani, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar në Gjermani shtetasit F. B., alias F. Z., 37 vjeç, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale”.

Ky shtetas dyshohet se në vitin 2019 ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje, e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar.

Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi F. B., alias F. Z.

Gjithashtu është arrestuar shtetasi E. K., 25 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ky shtetas, në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. B.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden/Gjermani për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt Shqipërisë.

 

The post Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të shpallur në kërkim appeared first on Albinfo.