ASK: Rreth dy mijë qytetarë do të gjobiten pasi nuk u regjistruan, vazhdon regjistrimi i diasporës

Ylli Shala, menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë për Ekonomia Online se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar. Gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në […] The post ASK: Rreth dy mijë qytetarë do të gjobiten pasi nuk u regjistruan, vazhdon regjistrimi i diasporës appeared first on Albinfo.

ASK: Rreth dy mijë qytetarë do të gjobiten pasi nuk u regjistruan, vazhdon regjistrimi i diasporës

Ylli Shala, menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë për Ekonomia Online se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar.

Gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në 20 mijë euro.

Shala ka thënë se ASK-ja është në procesin e verifikimit – personat jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten. “Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe persona të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre ne regjistrim, e cila me ligj ka qenë e ndaluar, por sigurisht që ASK-ja do të ndërmarrë masa ndaj atyre personave. Janë diku rreth 2 mijë persona, por ne duhet ta shqyrtojmë arsyen pse nuk janë regjistruar, në rastet kur një person e ka vizituar regjistruesin tri herë që e ka pasur obligim me shku tri herë dhe prapë e ka refuzuar edhe në të tretën herë, nuk është regjistruar dhe sigurisht që ai person edhe e meriton të gjobitet. Në rastet e tjera, ku te një person ka shkuar regjistruesi tri herë edhe nuk ka mundur ta regjistrojë atë person, ka qenë jashtë për çështje shëndetësore ose për çështje studentore jashtë vendit, apo diçka tjetër, atëherë ai është rast tjetër që nuk trajtohet si rast për gjobitje. Shifrat janë të parapara edhe me ligj, fillon prej 50 euro deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte është deri në 20 mijë euro”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka theksuar se procesin e regjistrimit, mbulueshmëria ka qenë deri në 98-99 për qind. Më sfidues e ka cilësuar veriun e vendit, ndërsa, për regjistrimin e diasporës, ai ka thënë se do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.

“Regjistrimi për diasporën është duke vazhduar. Afati i fundit është 31 gusht i këtij viti, për momentin e kemi shtyrë deri në këtë kohë, sepse e kemi planifikuar që dikush nga mërgimtarët që nuk ka mundur të regjistrohet sa ka qenë atje, ta shfrytëzojë mundësinë dhe të regjistrohet këtu. Në disa prej qyteteve më të mëdha, apo në shtatë qendrat e Kosovës, kemi dërguar nga një person nëpër komuna, ku në momentin që ka shkuar dikush në komunë e ka parë edhe zyrtarin tonë edhe është regjistruar. Nuk është shumë numri i madh që janë paraqitur për t’u regjistruar tash, sepse shumica këtë proces e kanë kryer në formatin online që ka qenë jashtëzakonisht i lehtë edhe për 5 minuta deri 10 e ka kryer një ekonomi familjare pa kurrfarë problemi. Për momentin numri i të regjistruarve është mbi 500 mijë. Si statistikë pasi që të përfundojë ky proces, do t’i marrim të dhënat dhe do t’i shikojmë”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se pjesëmarrja e komuniteteve në pjesën jugore të Kosovës në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por që janë sfiduar në komunat veriore pasi një numër i qytetarëve në atë pjesë nuk është regjistruar. Ai ka thënë se të dhënat finale në të cilat janë duke punuar pritet të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti me një raport me mbi 100 faqe.  /Ekonomia Online

The post ASK: Rreth dy mijë qytetarë do të gjobiten pasi nuk u regjistruan, vazhdon regjistrimi i diasporës appeared first on Albinfo.