Çelës për një pjesë të shkollave nëpër fshatrat e RMV-së, nxënës nga disa shkolla do të shpërngulen në të tjera

Shkollat në Maqedoni gjithnjë e më shumë po zbrazen. Për këtë flasin shifrat për filloristët e regjistruar, të cilët nga shtatori duhet të ulen në bankat shkollore, që është për 580 më pak në krahasim me vitin e kaluar shkollor. Gjegjësisht, 17.208, në krahasim me vitin e kaluar që ishin të regjistruar 17.782 filloristë. Për […]

Çelës për një pjesë të shkollave nëpër fshatrat e RMV-së, nxënës nga disa shkolla do të shpërngulen në të tjera
Hapësirat për realizimin e procesit arsimor. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Shkollat në Maqedoni gjithnjë e më shumë po zbrazen. Për këtë flasin shifrat për filloristët e regjistruar, të cilët nga shtatori duhet të ulen në bankat shkollore, që është për 580 më pak në krahasim me vitin e kaluar shkollor. Gjegjësisht, 17.208, në krahasim me vitin e kaluar që ishin të regjistruar 17.782 filloristë. Për shkak të situatës së këtillë, shtti do ta optimizojë rrjetin shkollor, që do të thotë mbyllje të një pjese të shkollave, shkruan Zëri i Amerikës, njofton Portalb.mk.

“Projekti për optimizim të rrjetit shkollor në vend është në vijim, realizohet së bashku me UNICEF-in dhe Bankën Botërore. Pas përfundimit të plotë të analizës, do të ndajmë më shumë informata2, kumtuan nga Ministria e Arsimit.

Ministrja e Arsimit Vesna Janevska, para pak kohësh shpjegoi se për çfarë bëhet fjalë. “Ato janë shkolla të cilat ndodhen në mjedise rurale, ndërsa të cilat janë në barrë të shtetit, për shkak se për to rregullisht edhe tani paguhen shpenzimet mujore”, tha ajo.

“Ka disa rajone dhe shkolla të cilat gjithsesi se nuk duhet të mbyllen, janë në largësi të madhe, janë malore, ato do të ekzistojnë. Por, këti që janë në dy kilometra njëra afër tjetrës është shkolla qendrore në të cilën ka rreth 100 fëmijë, ndërsa në shkollën rajonale ka dy deri në tre fëmijë, atëherë është mëkat që fëmijët të mos iu bashkëngjiten shokëve në shkollën qendrore”, shpjegon ministrja e Arsimit.

Ndërsa ulja e numrit të fëmijëve me vete do të tërheq edhe pasoja tjera.

“Është fakt se kjo nuk do të reflektojë vetëm ndaj nxënësve, por do të jetë edhe ndaj mësimdhënësve, për shkak se ata të cilët ligjërojnë në mësim klasor nga klasa e parë deri në të pestën, nuk do të kenë nxënës dhe do të duhet në të ardhmen ta braktisin vendin e tyre të punës”, thotë mësimdhënësi nga Struga, Zini Jusufi.

E gjithë kjo, thotë Jusufi, jo vetëm e shpërnguljes së madhe jashtë vendit, por edhe të natalitetit të zvogëluar.

“Në shkollën ‘Ekrem Jakupi’ në fshatin Koroshishtë, ku kam punuar 40 vite, në atë shkollë unë kam gjetur deri në 615 nxënës. Tani sivjet numri është deri në 100 nxënës. Problemi mund të zgjidhet vetëm nëse e ndalojmë migrimin, mund ta shpëtojmë shtetin dhe t’i shpëtojmë edhe shkollat”, thotë Jusufi.

Për shkak të largimit nga shteti, ndodh që nxënësit të të ç’regjistrohen nga shkollat midis vitit shkollor.

“Kemi mjaft nxënës të cilët ç’regjistrohen. Në shkollën tonë çdo vit kemi vazhdimisht, pavarësisht se nëse është janari, shkurti ose qershori. Secili në atë periudhë kur është gjindur të largohet nga shteti, largohet. Largohen nga shteti edhe njerëz të pasur”, thotë Marina Gjorgoska, drejtoreshë e shkollës fillore “Hristo Uzunov” në Ohër.

Ministrja Janevska konsideron se me bashkimin e disa shkollave, më së shumti do të përfitojnë nxënësit të cilët mësojnë atje.

“Ata fëmijë të cilët janë nga pesë, gjashtë, shtatë në një fshat të caktuar dhe ata janë izoluar nga bashkëmoshatarët e tyre të tjerë. Nuk kanë informata për botën e jashtme dhe nuk kanë mundësi të socializohen. Të shohin ‘smart’ tabelë, të shohin shkollë të re moderne, të garojnë me fëmijët e gjeneratës së tyre”, shpjegon Janevska.

Të dhënat të cilat Enti Shtetëror për Statistikë i publikoi para pak kohësh tregojnë se për një vit dryni u është vendosur 14 shkollave fillore në shtet. Për pesë vite janë mbyllur 45 shkolla. Numri i nxënësve në shkollat fillore është zvogëluar për 1,4 përqind, ndërsa në shkollat e mesme për 3,9 për qind.