Dyshimet për konflikt interesi në MSH: Sekretari “person kontaktues” në biznesin e huaj që kreu punë për ministrinë, vartësi i tij kontabilist

Buletini Ekonomik, përmes një hulumtimi, ka nxjerrë në dritë se zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë janë shndërruar në “persona kontaktues” për një kompani të huaj që kishte fituar tenderë nga MSH-ja, dhe në të njejtën kohë, kanë kryer shërbime kontabiliteti për të njëjtën. Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), njëri sekretari Naim […]

Dyshimet për konflikt interesi në MSH:  Sekretari “person kontaktues” në biznesin e huaj që kreu punë për ministrinë, vartësi i tij kontabilist
dyshimet-per-konflikt-interesi-ne-msh:-sekretari-“person-kontaktues”-ne-biznesin-e-huaj-qe-kreu-pune-per-ministrine,-vartesi-i-tij-kontabilist

dyshimet-per-konflikt-interesi-ne-msh:-sekretari-“person-kontaktues”-ne-biznesin-e-huaj-qe-kreu-pune-per-ministrine,-vartesi-i-tij-kontabilist

Buletini Ekonomik, përmes një hulumtimi, ka nxjerrë në dritë se zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë janë shndërruar në “persona kontaktues” për një kompani të huaj që kishte fituar tenderë nga MSH-ja, dhe në të njejtën kohë, kanë kryer shërbime kontabiliteti për të njëjtën.

Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), njëri sekretari Naim Bardiqi dhe tjetri Nexhip Sheholli, zyrtar përgjegjës i një departamenti të MSH-së për menaxhimin e financave për projekte me Bankën Botërore, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt interesi me një kompani të huaj.

Kompania irlandeze Klmego Consulting L.L.C, e regjistruar në Kosovë si biznes më 24 mars të vitit 2023, ishte angazhuar edhe në të kaluarën nga Ministria e Shëndetësisë në disa projekte, në mesin e të cilave edhe në projektin për hartimin e Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë së Kosovës për vitet 2017 – 2021.

Me rastin e regjistrimit si biznes në Kosovë, Klmego Consulting L.L.C – si person kontaktues kryesor në ARBK – ka vendosur numrin personal të Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqit, ndërsa në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), si kontabilist figuron zyrtari Nexhip Sheholli, i cili aktualisht është Specialist për menaxhimin e financave në Njësinë Koordinuese të Projektit të Bankës Botërore në MSH.

Numri personal i telefonit i Sekretarit Naim Bardiqi, figuron si numër kontaktues për biznesin KImego në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Nga dokumentet e siguruara përmes qasjes në dokumente publike për biznesin Klmego Consulting L.l.C, shihet se regjistrimin e këtij biznesi në ARBK e ka kryer Alina Weismann. Kjo e fundit është pronare e kompanisë Klmego Consulting në Irlandë, ku edhe ishte regjistruar fillimisht kjo kompani. Ndërsa punët për MSH-në në cilësinë e konsulentit, i kreu Thomas Weismann, i cili është babai i Alina Weismann.

Weismann ishte angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë si ekspert për hartimin e Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë së Kosovës për vitet 2017 – 2021.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka dispozita të veçanta për zyrtarët publikë që bien ndesh me kërkesat për paanshmëri në raport me palët e treta me rastin e ushtrimit të funksionit publik.

Neni 6 thotë se “Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare”.

Konfirmimi i pranimit të shërbimeve nga kompania irlandeze

Përveq sekretarit Bardiqi, në konlikt interesi me këtë kompani dyshohet të jetë edhe një zyrtar tjetër i kësaj ministrie. Nexhip Sheholli, Specialist për menaxhimin e financave në Njësinë Koordinuese të Projektit të Bankës Botërore në MSH, kreu “shërbime të kontabilitetit” gjatë zbatimit të projektit për Klmego Consulting L.L..C.

Kjo dëshmohet edhe përmes një komunikimi të brendshëm me email-a zyrtar, ku Sheholli komunikon me Thomas Weismann për ofrimin e shërbimeve të kontabilitetit për kompaninë KImego.

Në një email të datës 6 korrik 2023, Sheholli e njofton konsulentin gjerman për shërbimet e kryera për KImego, e që ndërlidhen me shërbime të kontabilitetit në Administratën Tatimore të Kosovës. Shërbimet e kryera kanë të bëjnë pikërisht me projektin në të cilin Weismann ishte angazhuar nga MSH-ja.

Nga ajo që kuptohet përmes email-it, Sheholli del se është “ngarkuar” nga Weismann për ta bërë deklarimin e TVSH-së për KImego Consulting.

“Tanimë jam regjistruar në EDI – Deklarimin Elektronik në ATK, por nga kjo ATK supozon se ju më keni paguar për këto shërbime. ID-ja ime dhe emaili im shfaqen në sajt (ATK)”. Prandaj ATK do të më ngarkojë me një tarifë sepse askush nuk do ta besoj se këto shërbime jam duke i kryer falas”, thuhet në email-in e Shehollit, drejtuar Weisman.

Për t’u “pastruar” me ATK-në, Sheholli i kërkon atij që t’ia bëjë një transfer prej 200 euro në llogarinë personale. Në përgjigje, Weismann kërkon nga Sheholli llogarinë ku mund ta kryejë pagesën.

Shërbimet e kryera nga Bardiqi dhe Sheholli për kompaninë KImego, i ka konfirmuar edhe vet Thomas Weismann në një përgjigje për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, atij i është kërkuar nga organet kompetente kosovare që me rastin e regjistrimit të biznesit, të shtojë një numër të një operatori të Kosovës dhe të hapë një llogari bankare në ndonjërën nga bankat në Kosovë, me qëllim të pagesës së TVSH-së për shërbimet e kryera.

Për këtë, thotë se ka kërkuar ndihmën e Bardiqit dhe Shehollit, ani pse nuk është përgjigjur se se i ka njohur të njëjtit dhe pse në ARBK e ka lënë si numër të biznesit pikërisht numrin personal të Bardiqit.

“Me qëllim të ofrimit të shërbimeve të kontraktuara për MSH-në, jam obliguar nga të regjistroj një kompani në Prishtinë. Për ta regjistruar kompaninë në RKS, më është dashur të siguroj një numër të një operatori të Kosovës, në të cilin kam mundur të kontaktoj gjatë punës sime në Kosovë. Duke qenë se nuk kam numër të Kosovës, në procesin e regjistrimit e kam regjistruar numrin e telefonit të Dr. Bardiqit. Unë kam qenë i detyruar të paguaj TVSH-në për tarifat që kam marrë për shërbimet e mia. Autoritetet tatimore atje (Kosovë) pranonin vetëm pagesat e TVSH-së, kur paratë transferoheshin nga një llogari bankare e një banke në Kosovë. Duke qenë se nuk kam llogari bankare në Kosovë, kam shfrytëzuar shërbimet e z. Nexhip Sheholli, i cili është përgjegjës i “PIU World Bank” në emër të MSH-së. Z. Nexhip Sheholli ma transferoi TVSH-në në organet tatimore. Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me Dr. Naim Bardiqin, Nexhip Shehollin apo ndonjë qytetar tjetër të Kosovës”, thuhet në përgjigjet e kreut të Klmego Consulting, Thomas Weismann drejtuar Buletinit Ekonomik.

Por sipas dëshmive të siguruara, sekretari Bardiqi duket të këtë njohje më të hershme me konsulentin gjerman. Bazuar në disa fotografi që ka siguruar Buletini Ekonomik, ai është parë në disa raste t’i ketë shoqëruar zyrtarët e kësaj ministrie në vizita të ndryshme në Gjermani.

Njëra prej tyre është e datës 20 qershor 2023, ku në një vizitë në Hamburg të Gjermanisë, delegacioni i Kosovës në krye me sekretarin Bardiqi është nën shoqërimin e konsulentit gjerman, Thomas Weismann. Në përshkrimin mbi fotografi, nuk tregohet arsyeja e kësaj vizite në Gjermani.

 

Mohimi nga zyrtarët e MSH-së për dhënien e shërbimeve për kompaninë irlandeze

Buletini Ekonomik ka provuar të kontaktojë me sekretarin Bardiqi, për ta pyetur se si dhe kur e ka njohur konsulentin gjerman, mirëpo përkundër insistimit ai nuk është përgjigjur as në telefon e as në pyetjet e dërgurara në rrjetet e tij sociale.

Në emër të tij, janë përgjigjur nga emaili zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Në pyetjet  se “si është e mundur që në një kompani që ka marrë punë në MSH, personat kontaktues në këtë kompani të jenë zyrtarë të MSH-së dhe a nuk e keni vlerësuar si “konflikt të mundshëm interesi?”, nga kjo ministri thonë se konsulenti gjerman numrin e Bardiqit e ka lënë në ARBK pa lejen e tij.

Sipas kësaj ministrie, Weismann pas kontraktimit si ekspert në MSh, ka vendosur këto të dhëna vetë, mirëpo sipas tyre asnjëherë në konsultim me Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Konsulenti ka vendos emrin, deri sa ATK e ka kontaktuar personalisht përmes telefonit  Sekretarin e Përgjithshëm të MSh-së, ku e ka informuar lidhur me këtë çështje dhe nga kjo, Sekretari i Përgjithshëm i është drejtuar Njësisë Koordinuese te Projektit të BB që të largohet numri i telefonit privat i Sekretarit, për arsye se Sekretari nuk është në shërbim të kompanive dhe nuk ka asnjë relevancë që numri i tij i telefonit  të figurojë në kuadër të një kompanie. Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së është në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e MSH-së

Ndërsa, Sheholli, përmes bisedës telefonike, ka thënë se nuk figuron si kontabilist i kësaj kompanie, por kur është pyetur për të dhënat e tij në ATK, ai ka shtuar se kjo ka ndodhur për shkak të faktit se kompania është regjistruar në objekt të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se kontakti i tij figuron për shkak se ai (Th. Weismann), “nuk ka ditë me i plotësu format e aplikimit”.

“Ajo ka qenë e regjistrume në adresë të MSH-së. Nuk jam kontabilist, s’kam pagë, as kurgja. Nuk jam kontabilist i kompanisë. A jam themelues, a e keni vërejt?  Jam vetëm person kontaktues; A shkrun dikund që jam kontabilist i saj? –Jo…, Kjo ka qenë procedura pas marrjes së projektit, nuk është konflikt interesi aspak. Po të ishte marr tenderi para kësaj, e po të ishte emri im aty, nuk ka pas problem aspak. Ai ka ardh e ka kry projektin edhe ka shkue, u mbyll kontrata e tinaj. Biznesin e ka hapë vetëm për qat kontratë.”, ka thënë Sheholli.

Por, Sheholli nuk ka sqaruar nëse është paguar me 200 euro për shërbimet e tij në llogarinë e tij private, siç është dëshmia e konfirmuar nga email-at zyrtar, duke e ndërprerë në gjysëm bisedën.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë pranuar se të dhënat mbi regjistrimin e biznesit “Klmego Consulting” në ARBK, janë transferuar në sistemin e ATK-së automatikisht me rastin e regjistrimit si tatimpagues më 24 mars 2023, duke përfshirë këtu edhe numrat personal të dy zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sa i përket tatimpaguesit “KImego Consulting“ L.L.C. me NUI: 812027771, biznesi është i regjistruar me dt. 24.03.2023 dhe shënimet mbi regjistrimin e biznesit janë bartur në sistemin e ATK-së në mënyrë automatike nga ARBK dhe vazhdojnë të jenë si te tilla,  duke përfshirë këtu edhe numrin kontaktues si në këtë rast. Sipas informatave përmes VKME , tatimpaguesi (biznesi) ka kontaktuar fizikisht,  zyrën e shërbimeve regjionale për qëllime të regjistrimit dhe pajisjes me Certifikatën e TVSH-së së fundi me dt.05.07.2023, e cila sipas procedurave tona tani figuron e  anuluar dhe publikuar nga ATK në listën e tatimpaguesve joaktiv, përmes ueb faqes së ATK-së me dt. 14.03.2024. Po ashtu, është kontaktuar edhe nga qendra e thirrjeve per mos-deklarim”, kanë thënë nga ATK.

Në anën tjetër, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, kompania Klmego Consulting dhe eksperti gjerman Thomas Weismann, kanë qenë të angazhuar në dy projekte nga MSH-ja. Ato janë: “Asistencë teknike për të mbështetur vlerësimin e Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë së Kosovës 2017 – 2021; si dhe projekti për “Zhvillimin e një Vlerësimi Kombëtar të Shëndetit Mendor”.

Ndihma për asistencën teknike të ofruar nga kjo kompani me rastin e hartimit të Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë (2017-2021), buxhetit të shtetit të Kosovës i ka kushtuar 18 mijë e 216 euro, derisa për projektin e dytë, kjo kompani është paguar me gjithsej 52 mijë e 250 euro.

Në fund, sipas MSH-së, për angazhimin e kësaj kompanie me MSH-në janë ndjekur procedurat e prokurimit të Bankës Botërore, të udhëhequra nga Njësia Koordinuese e Projektit në fjalë. /Buletini Ekonomik/