Haradinaj: Paga minimale 350 euro është poshtërim, Kurti po mashtron në prag të zgjedhjeve

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se rritja e pagës minimale në 350 euro, është poshtërim për të punësuarit. Haradinaj ka thënë se Kurti në prag të zgjedhjeve, zgjodhi të dalë me një “mashtrim” të ri. Kreu i AAK-së ka thënë se paga minimale qysh sot duhet të jetë 350 euro, e në ditën […]

Haradinaj: Paga minimale 350 euro është poshtërim, Kurti po mashtron në prag të zgjedhjeve

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se rritja e pagës minimale në 350 euro, është poshtërim për të punësuarit.

Haradinaj ka thënë se Kurti në prag të zgjedhjeve, zgjodhi të dalë me një “mashtrim” të ri. Kreu i AAK-së ka thënë se paga minimale qysh sot duhet të jetë 350 euro, e në ditën e parë të Qeverisë së re, së paku 500 euro.

“Kjo pagë minimale është poshtërim. Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera.

Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro.
Premtimi për këtë pagë minimale është poshtërim.

Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve.

Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, shkruan Haradinaj.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin që niveli i ri i pagës minimale në vend të jetë 350 euro bruto.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se paga minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj apo 2 euro për orë pune të rregullt. Ai tha se kjo rritje i prek mbi 150 mijë të punësuar.