Kaosi në trafik, u shkurtua orari për parkim zonal, por Kasami nuk e mbajti premtimin për parkim pa pagesë

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës si gjithnjë, ka rënduar kaosin në trafikun e Tetovës. Për të adresuar këtë situatë, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vendosur që të shkurtojë orarin e parkimit zonal për dy orë. Rikujojmë se Kasami e shkeli premtimin parazgjedhor ku në programin ‘Me ka krejt për Tetovën’, […]

Kaosi në trafik, u shkurtua orari për parkim zonal, por Kasami nuk e mbajti premtimin për parkim pa pagesë

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës si gjithnjë, ka rënduar kaosin në trafikun e Tetovës. Për të adresuar këtë situatë, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vendosur që të shkurtojë orarin e parkimit zonal për dy orë. Rikujojmë se Kasami e shkeli premtimin parazgjedhor ku në programin ‘Me ka krejt për Tetovën’, gjatë zgjedhjeve komunale tha se deri sa të zgjidhet tërësisht problemi, parkingjet në Tetovë do të jenë pa pagesë, shkruan Portalb.mk.

Kaosi i trafikut pritet të intensifikohet gradualisht në ditët në vijim në Tetovë. Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me Kryeshefin e SPB Tetovë dhe Drejtorin e NP Parkingut të Qytetit, sot kanë inspektuar gjendjen e komunikacionit në qytet. Kasami tha se Komuna e Tetovës ka filluar aksionin për ndalimin e parkimit në vende joadekuate si dhe ka shkurtuar orarin e parkimit zonal.

“Në kuadër të marrëveshjes me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë dhe drejtorin e parkingjeve në Tetovë, njoftojmë se parkimi në rrugët dhe bulevardet ku është i ndaluar parkimi nuk do të lejohet për qytetarët për arsye për të shmangur kaosin pasi krijohet një rrjedhë e dendur e komunikacionit. Orari i parkimit zonal, për një muaj deri sa janë mërgimtarët, do të funksionojë deri në ora 21:00 me pagesë. Pas kësaj ore, parkimi do të jetë pa pagesë”, tha Kasami.

Kasami i pyetur nga Portalb.mk se pse nuk e mbajti premtimin për parking falas, tha se çështja e parkimit pa pagesë ishte në fazën e parë, kur edhe e ka marrë pushtetin lokal.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i shoqëruar nga kryeshefi i SPB Tetovë dhe Drejtori i NP Parkingut të Qytetit. Foto: Enis Shaqiri/Portal.mk

“Ne kemi premtuar se do të ketë parkim pa pagesë deri sa të rregullohet çështja e parkimit në Tetovë. Tashmë në këtë faze kur jemi gjatë implementimt të planit të ri, besoj se jemi duke e tejkaluar këtë, pasi çështja e parkimit pa pagesë ishte në fazën e parë kur edhe e morëm pushtetin lokal”, tha Kasami.

Kasami tutje shtoi se ndërtimi i parkingjeve të reja do të fillojë vetëm pasi të përcaktohet saktësisht se sa vende parkimi i mungojnë qytetit.

Ai apeloi deri te qytetarët dhe mërgimtarët që të kenë kujdes me parkimin e veturave në vendet e ndaluara.

“Lusim qytetarët dhe mërgimtarët që të respektojnë rregullat dhe të mos parkojnë veturat në vendet e ndaluara. Gjithashtu, u bëjmë thirrje banorëve të Tetovës që të përdorin transportin publik në këtë periudhë të ngarkuar, për të lehtësuar situatën dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të trafikut”, apeloi Kasami duke nënvizuar se ky është njëri nga aksionet e para të ndërmarra në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, dhe se e njëjta do të vazhdoj edhe ditëve në vijim.

Ndryshe, Komuna e Tetovës edhe pse nuk e realizoi planin e viteve të kaluara për parkingje të reja, janar premtoi se ka plan të ri detal urbanistik të bllokut 32. Bëhet fjalë për lokacionin nën Tregun e Gjelbër ku aktualisht ka parking të mbyllur ndërsa sipas nismës, aty planifikohet ndërtimi i garazhit në kate me 800 vend parkime. Deri më tani nuk ka pasur donjë aktivitet të dukshëm për këtë parking.

Kujtojmë që edhe në të kaluarën nga udhëheqësia aktuale e komunës ka pasur premtime për ndërtimin e parkingjeve në kate, por deri tani ata nuk janë realizuar.

Ndërkaq Kasami, para se të merrte këtë funksion si zgjidhje për kaosin në trafik premtoi se në gjashtë-mujorin e parë do të ndërtohen shtatë parkingje me konstruksion çeliku. Por, këto parkingje nuk janë ndërtuar.

Kryetari i Komunës së Tetovës nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye.