Krasniqi dyshohet se nisi keqpërdorimet me kompaninë sllovene ende pa i bërë dy javë si Kryeshef, dëmi mbi tre milionë

Ish-Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit, i është ngritur dje aktakuzë nga Prokuroria Speciale. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar […]

Krasniqi dyshohet se nisi keqpërdorimet me kompaninë sllovene ende pa i bërë dy javë si Kryeshef, dëmi mbi tre milionë
krasniqi-dyshohet-se-nisi-keqperdorimet-me-kompanine-sllovene-ende-pa-i-bere-dy-jave-si-kryeshef,-demi-mbi-tre-milione

krasniqi-dyshohet-se-nisi-keqperdorimet-me-kompanine-sllovene-ende-pa-i-bere-dy-jave-si-kryeshef,-demi-mbi-tre-milione

Ish-Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit, i është ngritur dje aktakuzë nga Prokuroria Speciale. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

Rreth 16 muaj i janë dashur kohë Prokurorisë Speciale për ta ngritur aktakuzën ndaj ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit. Krasniqi dyshohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar nga 15 tetori i vitit 2021 deri më 19 prill 2023, kur edhe u arrestua.

Një pjesë e aktakuzës është publikuar sot në media. Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.

Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.

Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro.

“Duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoi tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji, me ç’rast të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve ekonomikë konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 euro”, thuhet në aktakuzë.

Tregtimi i energjisë me kompaninë sllovene ishte përmendur edhe në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku për këtë dhe shkelje të tjera, ZRRE e kishte gjobitur KEK’un me 3.2 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE’së, një prej shkeljeve që kishte bërë KEK ishte nënshkrimi i kontratës kornizë me kompaninë “Holding Slovenske Elektrane”, kompani e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet kosovare.

Sipas ZRRE, KEK ka vazhduar të blejë energji nga kjo kompani përkundër vërejtjeve dhe kërkesave që ka marrë.

“Lidhur me kёtё, ZRRE ka reaguar disa herё pёrmes e-mail-it zyrtar dhe me shkresё zyrtare, ku ka kёrkuar nga KEK qё tё veprojë nё pajtim me obligimet ligjore tё cekura mё lartё, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara. Pёr mё tepёr, ZRRE me datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarёsisht vёrejtjeve dhe kёrkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhej në raportin e ZRRE’së.

Reagimet e opozitës pas ngritjes së aktakuzës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi pas njoftimit të Prokurorisë për aktakuzën, ku tha se më 9 shkurt do të bie “mafia energjetike”.

Ai tha se Krasniqi akuzohet nga Prokuroria Speciale për negocimin e një TENDERI SEKRET në vlerë prej 3.4 milion eurove.

“Ky tender sekret është negociuar kur Blloku A5 qëndronte jashtë funksionit për plot 9 muaj. Në atë kohë, gjatë dimrit, Kosova blinte rrymë nga 1 MILION EURO NË DITË; secilën ditë! Gjithë këtë vlerë e paguanin qytetarët e Kosovës. Sepse Qeveria, nëpërmjet Rregullatorit, kishte rritur çmimet e energjisë për 100%”, shkroi Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, hetimet do të japin dritë mbi të gjithë tenderët e tjerë sekret.

“Pas 9 shkurtit, hetimet e pavarura të një sistemi juridik pa presion popullist, do të japin dritë edhe mbi të gjithë tenderët sekret. Kemi ngritur mjaftushëm fakte për 113 tenderët e tjerë SEKRET në KEK, e mbi 877 të tjerë në gjithë Qeverinë për tre vite – pothuajse nga një në ditë”.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë të përfshirët në ato që ajo i ka quajtur skandale të kësaj qeverie.

“Të gjithë zyrtarët e lartë, ministra e ambasadorë, nën vëzhgimin e të cilëve kanë ndodhur skandalet, nuk kanë dhënë dorëheqje. Prandaj, sot, Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë, nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha të cilat ende kërkojnë përgjigje: energjia, rezervat shtetërore, mos-deklarimet e pasurisë, skandalet diplomatike etj”, tha ajo.

Sipas Çitakut, arrestimi i Nagip Krasniqit është maja e një ajsbergu, në të cilin i kanë rrënjët thellë eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, që i ngjason një “Mafie Energjetike”.

“Mos të harrojmë, në periudhën kur kjo Qeveri ia shtrenjtoi energjinë elektrike për 100 për qind qytetarëve tanë, janë dy miqtë e mirë të Kryeministrit Kurti, të cilët erdhën në pozita udhëheqëse përmes favorizimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, si të dyshuarit kryesorë në një skandal të pastër rajonal të korrupsionit masiv, me tregtim të energjisë”, theksoi ajo.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti “me Nagipin vodhën rrymën në kohën kur në bursa çmimi kishte arritur majat e papara”.

“Popullit ja dyfishuan çmimin, e Nagipin dhe Martinin që ndërmjetësuan në shitjen e rrymës serbe ende i mbrojnë dhe i mbajnë si heronj. Mbi 280 milionë euro para të popullit i larguan nga konkurrenca dhe ligji dhe me partnerë në krim i përdorën si me qenë plaçkë gjahu.

U mashtruan se kontratat e klasifikuara mbesin përgjithmonë të klasifikuara dhe u “fëlliqën” deri në atë masë sa blerjet e tyre rrezikojnë sigurinë e njerëzve të Kosovës. Asgjë nuk do të ndal deklasifikimin e këtyre kontratave dhe asgjë nuk do të ndal konfrontimin e hajnive të tyre me qytetarin e Kosovës. E shpejtë do të jetë dita kur lufta e njëmendtë kundër korrupsionit do të fillojë e “vajtuesit e ditës” do të shihet se janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, shkroi Haradinaj.

Pse u arrestua Nagip Krasniqi dhe si e mbronte Kurti?

Krasniqi ishte arrestuar në prill të vitit të kaluar. Nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi të ndikimit dhe konflikti interesi, Krasniqi është mbajtur në paraburgim deri më 15 shtator të vitit të kaluar.

Pas arrestimit, Krasniqi ishte pezulluar nga detyra e kryeshefit. Pozita atij i ishte ruajtur edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim. Mirëpo, Bordi i KEK e shkarkoi rreth një muaj pasi ndaj tij u hoq masa e ndalimit të afrimit në KEK, që ishte pengesë që ai të kthehej në vendin e punës pas lirimit nga paraburgimi. Pas heqjes së kësaj mase, Krasniqi kishte shprehur interesim që të kthehej në këtë pozitë.

Nga dita e arrestimit, emri i Krasniqit është përmendur pothuajse në secilën seancë të Kuvendit të Kosovës nga opozita, sa herë që ka akuzuar Qeverinë për korrupsion.

Pushteti vazhdimisht i ka dalë në mbrojtje Krasniqit. Kryeministri Albin Kurti e kishte cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij.

“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, kishte thënë Kurti në një seancë të Kuvendit.

Për këtë rast kishte sulmuar Prokurorinë e Shtetit për këtë rast, saktësisht Kryeprokurorin Blerim Isufaj.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufaj”, kishte deklaruar Kurti.

Arrestimi i Krasniqit është përmendur edhe në raportin e Freedom House. Në raport rikujtohet se Krasniqi ishte zgjedhur në pozitën e drejtorit të KEK-ut në tetor 2021 pa një proces konkurrues të punësimit, nga një bord i cili ishte emëruar përkohësisht gjatë mandatit të parë të Kurtit si kryeministër.

“Anëtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se arrestimi i Krasniqit është hakmarrje ndaj partisë në pushtet nga kryeprokurori i shtetit. Isufaj, emërimi i të cilit për kryeprokuror të përhershëm të shtetit nuk u përkrah nga presidenti Osmani, dhe i cili ka pasur mosmarrëveshje edhe me Kurtin dhe me Konjufcën, kryetar i Kuvendit”, thuhet në raport./Express/