Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë zëvendësministrat

Kuvendi sot do të mbajë seancën e 11-të, në të cilën duhet të votohen zëvendësministrat në Qeveri për kompletimin e ekipit qeveritar. Seanca është caktuar për në orën 11:00, ndërsa në rend dite është edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për kujdesin shëndetësor – leximi i parë, me të cilin shfuqizohen drejtorët ekonomikë në institucionet […]

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë zëvendësministrat
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kuvendi sot do të mbajë seancën e 11-të, në të cilën duhet të votohen zëvendësministrat në Qeveri për kompletimin e ekipit qeveritar. Seanca është caktuar për në orën 11:00, ndërsa në rend dite është edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për kujdesin shëndetësor – leximi i parë, me të cilin shfuqizohen drejtorët ekonomikë në institucionet publike shëndetësore dhe spitalet dhe verifikimi i mandatit të deputetëve në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri javën e kaluar ka dorëzuar në Kuvend propozimin për zëvendësministra.

Koalicioni Vlen thotë se kandidatët e tyre për zëvendësministra janë me dinjitet, profesionalizëm dhe shpresë për shqiptarët nga Maqedonia e Veriut.

“Me krenari dhe përkushtim të thellë, koalicioni Vlen njofton se kandidatët tanë për zëvendësministra në Qeverinë e shpresës dhe antikorrupsionit i kanë kaluar të gjitha filtrat dhe tani janë në Kuvend para deputetëve për votim.

Këta kandidatë të dalluar përfaqësojnë vlerat më të larta të dinjitetit, profesionalizmit dhe shpresës për shqiptarët nga Maqedonia e Veriut.

Me një rezyme të provuar integriteti dhe përkushtimi për të mirën publike, dhe pa asnjë njollë korrupsioni, kandidatët tanë janë të gatshëm të sjellin ndryshime të prekshme dhe pozitive. Në një kohë kur krimi, korrupsioni, lojërat e fatit dhe sjellja devijuese kërcënojnë shoqërinë tonë, ne besojmë se këta individë të zgjedhur janë çelësi i transformimit të vërtetë.

Qeveria e shpresës dhe antikorrupsionit është e vendosur të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët, duke promovuar drejtësinë dhe barazinë. Ne jemi të përkushtuar për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë krimin dhe korrupsionin dhe për të rikthyer besimin tek institucionet tona.

Vlen është shpresa e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut”, thonë nga koalicioni.

Zgjedhja e zëvendësministrave vjen pasi kryeministri Hristijan Mickoski, si propozues i autorizuar, në Kuvend i dorëzoi emrat e zëvendësministrave me zgjedhjen e të cilëve zyrtarisht do të kompletohet kabineti qeveritar.

Elfet Ismaili është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, kurse në Ministrinë e Punëve të Brendshme propozohet Astrit Iseini.

Në Ministrinë e Bujqësisë Flakron Bexheti. Ai është profesor i shkencave politike në Universitetin Nënë Tereza në Shkup. Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës propozohet Lulzim Aliu. Kaltrina Zekolli Shaqiri do të jetë zëvendësministre në Ministrinë e Transportit, ndërsa në Ministrinë e Sportit propozohet Safije Sadiki Shaini, ndërsa Sedat Sulejmani për kulturë dhe turizëm.

Zëvendësministër i ri për ekonomi do të jetë ish-kryetari i komunës së Prilepit Marjan Risteski, ndërsa për punë të jashtme dhe tregti Zoran Dimitrovski nga Lidhja Demokratike, i cili ishte zëvendësministër për vetëqeverisje lokale në Qeverinë e LSDM-së. Deputetja Ane Lashkoska do të jetë zëvendësministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Alen Dereban propozohet për zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë. Nexhdet Mustafa propozohet për zëvendësministër në Ministrinë e Marrëdhënieve me Komunitetet. Mustafa është profesor i diplomuar i filozofisë.

Për zëvendësministre në Ministrinë e Çështjeve Evropiane propozohet Viktoria Trajkov propozohet, ndërsa Nikolçe Jankulovski për Ministrinë e Financave. Zëvendësministër në Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale do të jetë Miroslav Labudoviq.

Zëvendësministër i Shëndetësisë do të jetë Jovica Andovski. Andovski ka qenë zëvendësministër i Shëndetësisë nga viti 2011 deri në vitin 2017. Gjoko Velkovski, i cili ishte ministër në Qeverinë teknike, propozohet për zëvendësministër në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Erxhan Selimi propozohet për zëvendësministër në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Zëvendësministër për Transformimin Digjital është propozuar Radoslav Nastasijeviq Varxhiski. Për zëvendësministër propozohet Laze Jaqimoski, i cili do të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.

Koalicioni VLEN në Qeverinë aktuale koalicioni VLEN ka 5 ministri dhe një pa portofol, gjithsej gjashtë. Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Izet Mexhitin, Ministrinë e Shëndetësisë me në krye Arben Taravari, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë me Fatmir Limanin, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës me Besar Durmishi, Ministrinë e Çështjeve Evropiane me në krye Orhan Murtezani dhe Ministrinë pa portofol të ngarkuar për Qeverisjen e Mirë dhe Transparencë me Arben Fetai.