Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi rebalancin e buxhetit për vitin 2024

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca plenare për rebalancin e buxhetit, debat i cili u përmbyll sot me votim. LSDM kishte paralajmëruar që nuk do të përkrah rebalancin, ndërsa Fronti Evropian e pati lëshuar seancën, transmeton Portalb.mk. Të pranishëm në votim ishin 87 deputetë, 67 votuan “për” dhe 7 votuan “kundër”. Këto […]

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi rebalancin e buxhetit për vitin 2024
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca plenare për rebalancin e buxhetit, debat i cili u përmbyll sot me votim. LSDM kishte paralajmëruar që nuk do të përkrah rebalancin, ndërsa Fronti Evropian e pati lëshuar seancën, transmeton Portalb.mk.

Të pranishëm në votim ishin 87 deputetë, 67 votuan “për” dhe 7 votuan “kundër”. Këto vota mundësuan rebalancin e Buxhetit të shtetit për vitin 2024.

“Rebalanci siguroi likuiditet, pagesë të rritjes së pensioneve, të drejta për të punësuarit dhe detyrime ndaj ekonomisë”, deklaroi ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.

Ministria e Financave sqaroi që përmes këtij rebalanci do të ketë rritje lineare prej 2500 denarë për 300 mijë pensione, rritje të rrogave të planifikuara në bazë, shlyerje të detyrimeve të ndryshime, duke mundësuar funksionim normal të institucioneve. Këtu përfshihet edhe ndihma 6 miliardë denarë për projekte infrastrukturore lokale, 44.7 miliardë denarë për shpenzime kapitale.

“Me rebalancin janë siguruar 4.2 miliardë denarë shtesë për pagesën e pagave, 5.1 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për pagesën e të drejtës së ndihmës minimale të garantuar, 1.7 milardë denarë shtesë për mbrojtjen shëndetësore, 1 miliard denarë për zonat e ZZHTI-së, 1.7 miliardë denarë për përkrahjen financiare direkte në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë për shujtat  studentore, 207 milionë denarë për pagesën e bursave studentore, 300 milionë denarë për bllok dotacionet, 0.8 miliardë denarë shtesë për pagesën e interesit kundrejt kreditorëve ndërkombëtarë dhe vendorë, 5.1 miliardë denarë për pagesën e garancive, me ç’rast ndërmarrjet duhet të kthejnë në mënyrë sukcesive (të pandërprerë) deri në fund të vitit 2024 edhe pagesën e mjeteve në buxhetin e shtetit”, raportoi ministrja.

LSDM-ja nga opozita paralajmëroi që nuk do ta përkrah rebalancin e buxhetit, pasi në Komision janë refuzuar 58 amendamente që janë propozuar nga opozita.

“Në pjesën e pagave nuk janë parashikuar mjete për rritje të vazhdueshme të pagave dhe për rritje të pagës minimale nuk janë përcaktuar mjete për rritjen e pagave në arsim, edhe pse në buxhet ka të hyra më të mëdha”, deklaroi ish-kryeministri, deputeti i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 6 gusht i miratoi ndryshimet e rebalancit të Buxhetit të Maqedonisë së Veriut, pasi duke filluar prej 29 korrikut, gjashtë ditë u zhvillua debati për amendamentet e propozuara. Në këtë periudhë u shqyrtuan gjithsej 58 amendamenteve.

Më 25, 26 dhe 27 korrik, në Komisionin kuvendor për financa dhe buxhet u mbajt debati i përgjithshëm për rebalancin e buxhetit për vitin 2024. Paraprakisht, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik ka miratuar ndryshimet e propozuara në Buxhetin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024.