Kuvendi i RMV-së përkujtoi gjenocidin në Srebrenicë

Në Kuvendin i Maqedonisë së Veriut sot është përkujtuar gjenocidi në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, transmeton Portalb.mk. Kryeparlamentari Afrim Gashi theksoi se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave. Ai tha se kjo ngjarje e tmerrshme kujton çdo ditë […]

Kuvendi i RMV-së përkujtoi gjenocidin në Srebrenicë
Kuvendi i RMV-së përkujtoi gjenocidin në Srebrenicë. Foto: Kuvendi i RMV-së

Në Kuvendin i Maqedonisë së Veriut sot është përkujtuar gjenocidi në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, transmeton Portalb.mk.

Kryeparlamentari Afrim Gashi theksoi se gjenocidi në Srebrenicë prej para 29 vjetësh është ende i freskët në memorien kolektive, veçanërisht në mesin e qytetarëve të këtyre hapësirave.

Ai tha se kjo ngjarje e tmerrshme kujton çdo ditë brishtësinë, por edhe vlerën e paçmueshme të paqes, sundimin e ligjit, bashkëjetesën, demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Ne nuk duhet që t’i shmangemi asaj që ta quajmë këtë akt tragjik të gjakderdhjes masive me emrin e vërtetë – gjenocid. Dhe gjenocidi nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht dhe që ndodh vetvetiu. Ai ka autor, është një aksion i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim të shfarosjes dhe shkatërrimit të tjetrit, në këtë rast të boshnjakëve nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Gashi.

Në këtë ngjarje u drejtuan edhe profesori Xhemil Bektoviq, aktivistja Mersiha Smailoviq, deputeti Amar Mecinoviq, profesori Sead Xhigal dhe Safer Bishevac.

Viktimat e gjenocidit dje u përkujtuan edhe nga Komuna e Çairit pranë memorialit të viktimave të Srebrenicës në këtë komunë.

Më 11 korrik të vitit 1995 ndodhi gjenocidi serb në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë. Në këtë masakër pësuan 8 300 viktima.

Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin si gjenocid.

Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.