Mickoski-Plenkoviç: Ka pasur shumë padrejtësi ndaj Maqedonisë së Veriut, duhet të përshpejtohet qasja në BE

Kroacia mbetet e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, deklaroi kryeministri kroat Andrej Plenkoviç pas takimit me kolegun e tij maqedonas Hristijan Mickoski, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në Kroaci, transmeton Portalb.mk. Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri kroat tha se vendi […]

Mickoski-Plenkoviç: Ka pasur shumë padrejtësi ndaj Maqedonisë së Veriut, duhet të përshpejtohet qasja në BE
Hristijan Mickoski dhe Andrej Plenkoviç. Foto: Qeveria e RMV-së

Kroacia mbetet e gatshme të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, deklaroi kryeministri kroat Andrej Plenkoviç pas takimit me kolegun e tij maqedonas Hristijan Mickoski, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në Kroaci, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri kroat tha se vendi i tij do të avokojë për procesin më dinamik të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Në 20 vitet e fundit, ka pasur shumë padrejtësi ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ka ardhur koha kur të gjitha këto duhet të respektohen. Tema që rëndon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut është, sipas nesh, e padrejtë ndaj popullit maqedonas, identitetit maqedonas. Mendoj se janë bërë aq shumë lëshime nga pala maqedonase, saqë vështirë se ndonjë komb dhe shtet do të pranonte të ndërmerrte kaq shumë hapa nga ana e tij për të përshpejtuar rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Plenkoviç.

Mickoski tha se padrejtësia që është bërë në dy dekada e gjysmë është e madhe dhe se vendi ka bërë lëshime si askush tjetër.

“Ne kemi shumë probleme të brendshme dhe do t’i zgjidhim dhe këtu nuk duhet të ketë dilema, do të punojmë sipas nevojës. Ajo që nuk varet nga ne është pikërisht fillimi i negociatave. Kjo, për fat të keq, varet edhe nga të tjerët. Kemi bërë mjaft, tani na duhet dikush që të na hapë derën në mënyrë që të hyjmë në atë dhomë për të filluar negociatat dhe për të treguar sa mundemi”, tha Mickoski.

Ndryshe, me formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.