Osmani thotë se Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara

Në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës u vlerësua lart puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe të respektuara, duke qenë në krye në […] The post Osmani thotë se Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara appeared first on Albinfo.

Osmani thotë se Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara

Në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës u vlerësua lart puna dhe përkushtimi i pjesëtarëve të këtij institucioni në mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe të respektuara, duke qenë në krye në ndërtimin e një shoqërie, ku mbizotëron rendi dhe ligji.

Osmani potencoi se kontributi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është kyç për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë.

Derisa vlerësoi lart sakrificën e pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës, e para e vendit theksoi se PK-ja duhet të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet dhe aftësitë saj në hapa të sigurt, në mënyrë që të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Policia e Kosovës u bë prej institucioneve të para që me fisnikëri dhe besueshmëri u shërbeu qytetarëve të vendit, derisa synim e kishin rimëkëmbjen.

Kurti potencoi se duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët e Kosovës kanë dëshmuar se nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e shtetit të tyre.

Ai u shpreh krenar dhe mirënjohës me arritjen e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre viteve, derisa shtoi se shërbimi me integritet dhe profesionalizëm janë drejtimet me të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej ky institucion.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi lart angazhimin dhe punën e Policisë së Kosovës përgjatë këtyre 25 vjetëve.

Njëjtë sikur edhe krerët e lartë shtetërorë, edhe ministri Sveçla theksoi sakrificën e policëve të rënë në detyrë, që nga Razim Rexhepi e deri te heroi i fundit, Afrim Bunjaku.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, u shpreh se përgjatë këtyre 25 vjetëve është dëshmuar se ky institucion është ndërtuar mbi themele të forta për të mbrojtur shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Ai tha se Policia e Kosovës vazhdon të jetë gardian në sundimin e ligjit dhe mbajtjen e stabilitetit në vendin tonë.

Hoxha potencoi se PK-ja ka arritur një nivel të lartë të profesionalizmit dhe bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Në ceremoninë qendrore u prezentua për herë të parë himni i Policisë së Kosovës.

Më 6 shtator të vitit 1999, misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, hapi Shkollën e policisë dhe filloi trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

 

The post Osmani thotë se Policia vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara appeared first on Albinfo.