Pak investitorë të huaj erdhën nëpërmjet procesit të privatizimit në Kosovë, veç 4 nga SHBA-të, 1 nga Franca, 6 nga Gjermania

Mbi 2380 ndërmarrje janë privatizuar deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), përkatësisht 769 ndërmarrje të reja dhe 1615 asete të likuidura, përderisa për pak prej tyre ka pasur interesim nga investitorët e huaj. Bazuar në statistikat e dërguara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për portalin Front Online, nga fillimi i procesit […]

Pak investitorë të huaj erdhën nëpërmjet procesit të privatizimit në Kosovë, veç 4 nga SHBA-të, 1 nga Franca, 6 nga Gjermania
pak-investitore-te-huaj-erdhen-nepermjet-procesit-te-privatizimit-ne-kosove,-vec-4-nga-shba-te,-1-nga-franca,-6-nga-gjermania

pak-investitore-te-huaj-erdhen-nepermjet-procesit-te-privatizimit-ne-kosove,-vec-4-nga-shba-te,-1-nga-franca,-6-nga-gjermania

Mbi 2380 ndërmarrje janë privatizuar deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), përkatësisht 769 ndërmarrje të reja dhe 1615 asete të likuidura, përderisa për pak prej tyre ka pasur interesim nga investitorët e huaj.

Bazuar në statistikat e dërguara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për portalin Front Online, nga fillimi i procesit të privatizimit (2002) e deri më tani (2024), 2345 blerje janë realizuar nga shtetasit e Kosovës, përderisa veç 39 blerje janë realizuar nga shtetasit e huaj.

Sipas këtyre statistikave, 10 privatizime janë realizuar nga shtetasit e Zvicrës, 6 privatizime nga shtetasit e Gjermanisë, 5 privatizime nga shtetasit e Shqipërisë, 4 privatizime nga shtetasit e Amerikës, nga 2 privatizime janë bërë nga shtetasit e Holandës, Austrisë,  dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga 1 privatizim është bërë nga shtetasit e Belgjikës, Dubait, Francës, Greqisë, Japonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Turqisë.

Për shitjen e të gjitha këtyre ndërmarrjeve shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka grumbulluar rreth 770 milionë euro, prej të cilave 668 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e Kosovës dhe mbi 100 milionë euro kanë privatizuar shtetasit e huaj.

 

Shteti shuma e shitjeve % nr. i shitjeve
Amerika                   7,158,110 0.9%                      4
Austria                   2,732,000 0.4%                      2
Belgjika                   2,012,002 0.3%                      1
Dubai                   1,400,000 0.2%                      1
Franca                       630,000 0.1%                      1
Gjermania                       446,344 0.1%                      6
Greqia                 30,100,000 3.9%                      1
Holanda                       174,250 0.0%                      2
Japonia                       291,000 0.0%                      1
Kosova              668,530,758 86.9%              2,345
Kroacia                       810,000 0.1%                      1
Maqedonia                 14,298,999 1.9%                      2
Shqipëria                   6,320,255 0.8%                      5
Sllovenia                   1,010,000 0.1%                      1
Turqia                   1,400,000 0.2%                      1
Zvicrra                 32,275,102 4.2%                    10
GJITHSEJ € 769,588,820              2,384
nga Kosova              668,530,758 87%              2,345
nga shtetet tjera              101,058,062 13%                    39

Burimi: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

Ish-ministri i Tregtisë: Investitorët e huaj janë joshur më shumë nga shtetet e rajonit

Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Front Online se procesi i privatizimit në Kosovë ka pasur disa sfida që, siç thotë ai, kanë ndikuar në mos tërheqjen e investitorëve të huaj në masën e pritur.

“Së pari, një nga faktorët kryesorë ka qenë mungesa e stabilitetit ligjor dhe politik gjatë periudhës së pasluftës, gjë që ka krijuar pasiguri për investitorët ndërkombëtarë. Për më tepër, problemi me pronësinë e qartë të aseteve dhe çështjet e komplikuara ligjore rreth tyre kanë penguar shumë investitorë të mundshëm. Po ashtu, mungesa e infrastrukturës së zhvilluar dhe tregut të kufizuar kanë qenë pengesa të tjera për investimet e huaja direkte”, shprehet Mulaj.

Nga ana tjetër, sipas tij, fakti që vetëm një numër shumë i vogël i aseteve janë privatizuar nga investitorë nga Amerika, Franca dhe Gjermania tregon për një interes të ulët të këtyre vendeve, ndoshta, siç thotë ish-ministri i Tregtisë, për shkak të konkurrencës nga tregjet e tjera në rajon, ku mundësitë për investime janë më të favorshme dhe më të sigurta.

Ai shprehet se procesi i privatizimit nuk ka qenë gjithmonë transparent dhe shpesh ka qenë subjekt i kritikave për mënyrën se si është menaxhuar, çka ka rritur mosbesimin e investitorëve potencialë. Gjithashtu, politikat e privatizimit, sipas tij, kanë qenë të fokusuara kryesisht në transformimin e pronës shoqërore dhe arritjen e çmimit më të lartë në shitje, duke lënë në plan të dytë planet investuese, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.

“Prandaj, për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr më shumë investime nga jashtë, Kosova duhet të fokusohet në përmirësimin e kornizës ligjore, rritjen e transparencës dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke u bërë kështu një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, pohon Mulaj për Front Online.

Mburrja e Kurtit me investimet e huaja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më pare ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times që tregon se Kosova renditet e dyta në Evropë dhe e pesta në botë për zhvillim ekonomik.

Sipas këtij raporti, Kosova gjithashtu renditet e katërta në botë për përmirësim nga viti në vit për periudhën 2022-2023. Kurti e ka përdorur këtë raport për të theksuar përparësitë e Kosovës si një destinacion tërheqës për investitorët e huaj dhe për të nënvizuar progresin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Megjithatë statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk flasin për rritje kaq të madhe të investimeve të huaja direkte në Kosovë e as orientimin e tyre në sektorin e prodhimit.

Sipas BQK-së, nga 214 milionë euro Investime të Huaja Direkte (IHD) për tre muajt e parë të këtij viti, 142 milionë euro kanë qenë të orientuara në sektorin e patundshmërive, apo rreth 66.1% të gjithsej IHD-ve, raporton Front Online.  Investimet në patundshmëri në Kosovë bëhen kryesisht nga diaspora.

Megjithatë, ky raport ka shkaktuar një valë kritikash dhe është vlerësuar  si i  pasaktë dhe  i paqenë.

Deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së në një prononcim për Front Online  ka akuzuar Kryeministrin Kurti për mungesë të shifrave konkrete dhe për emra të investitorëve që do të dëshmonin zhvillimin e vërtetë ekonomik. Sipas Shalës, raporti është një pjesë e fushatës paraelektorale dhe përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të suksesit, duke fshehur dështimet dhe mungesat reale në projektet e zhvillimit dhe investimeve kapitale. Ai ka theksuar se raportet dhe deklaratat e tilla janë të paqena dhe nuk reflektojnë situatën aktuale të ekonomisë kosovare.

*Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.